Për herë të dytë, kryetari i Lëvizjes për Reforma PDSH, Ziadin Sela, është paraqitur në Prokurori për të dëshmuar për dhunën që u ushtrua ndaj tij dhe deputetëve të tjerë në Kuvend më 27 prill. Në një deklaratë për mediat dhënë pas daljes nga prokuroria publike, Sela tha se duhet të dënohen jo vetëm sulmuesit, por edhe porositësit e ngjarjeve të asaj dite.
“Realisht nuk kanë nevojë shumë për dëshmi sepse gjithçka ishte aq publike, tendencat ishin aq shumë publike, nga ana tjetër edhe porositësit e asaj që ndodhi, atentatit, janë shumë publik, janë figura politike, kryetar partish, të cilët në përpjekjet për të shpëtuar krimin dhe korupsionin që kanë bërë ndër vite, janë të gatshëm për gjithçka. Jeni dëshmitarë ju dhe opinioni që njësoj si në 10 vitet që kaluan që pikën e respektit se kanë pasur për institucionin deputet, në të njëjtën formë dhanë urdhërin që të lirohen me kusht ata që dhunuan deputetët”, tha Ziadin Sela.
Sela tha se nuk i beson prokurorisë publike, por u shpreh se pas zgjedhjes së Qeverisë së re e gjithë situata do të ndryshojë.
Në prokurori sot ka dëshmuar edhe deputeti i LSDM-së, Aleksandër Kiracovski, i cili u shpreh kundër vendimit të fundit të gjykatës e cila la të lirë disa nga dhunuesit e 27 prillit. Nëse qasja e gjykatës dhe prokurorisë është e njëjtë edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, Kicarovski tha se gjykata dhe prokuroria do të llogariten bashkëpunëtor të krimit që ndodhi në Kuvend.
“Më 27 prill nuk ndodhi vetëm dhunë në Kuvend, por edhe rrezikim terrorist të rendit kushtetyues. Më 27 prill në Kuvend ndodhi tentim i planifikuar, organizuar dhe i kontrolluar, fatmirësisht pa sukses, për vrasje të deputetëve. Aktgjykimet e një pjese të të akuzuarve që i pamë para duisa dite paraqesin turp për këtë gjykatë dhe janë absolutisht joadekuate. Nëse gjykata dhe prokuroria vazhdojnë në të njëjtën mënyrë t’i trajtojnë edhe dhunuesit e tjerë, i porosis se do të bëhen bashkëpunëtorëtë krimeve të 27 prillit”, tha Aleksandër Kicarovski nga LSDM.
Gjatë ditëve të kaluara prokuroria ka marë edhe dëshmitë e deputetëve të tjerë dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, për dhunën e huliganëve ndaj deputetëve në Kuvend më 27 prill ku deputeti Sela kaloi me lëndime më të rënda.