Komuna e Çairit ka fituar 820 mijë euro grante nga Banka Botërore për restaurimin e dyqaneve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe ndërrimin e kalldërmës. Projekte këto të cilat më herët ishin premtuar dhe nga ish – kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe ish Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Zëdhënësi i Komunës Çair, Kushtrim Alla për Almakos sqaron se grantet e fituara së fundmi do të përdoren për restaurimin e Çarshisë dhe heqjen e investimeve jo adekuate.
“Do të intervenohet në ato dyqane të cilat kanë bërë ndërhyrje jo adekuate, që do të thotë që kanë elemente më moderne. Ata intervenime jo adekuate do ti zëvendësojmë me intervenime të tjera, të cilat janë adekuate për të parë Çarshinë e Vjetër”, tha zëAlla duke shtuar se intervenimet do të bëhen në përputhje me arkitekturën e Çarshisë.
Ndryshe, në vitin 2015, ish Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri kishte dhënë një premtim identik. Ai kishte deklaruar se Ministria e Ekonomisë së bashku me Komunën e Çairit, do të zbatojë edhe projektin për rregullimin e vitrinave të dyqaneve dhe reklamat në Çarshinë e Vjetër, ku si fazë e parë thuhej se po punohej në hartimin e Bllokut 3-2, që përfshin gjithsej 60 dyqane.
“Për çdo dyqan do të bëhet projekt i veçantë për ruajtjen, restaurimin dhe adaptimin e mbishkrimeve në dritaret e dyqaneve me ç’ rast vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ruajtjes se origjinalitetin dhe vlerës kulturore të objektit”, kishte thënë, Neziri në vitin 2015.
Një premtim të njëjtë e kishte dhënë edhe ish kryetari u Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili aso kohe thoshte se komuna – do e përkrahë gjithmonë modernizimin e Çarshisë.
“Komuna e Çairit ka ndërmarrë aktivitete që Çarshisë së Vjetër ti jep një dimension modern. Ajo ishte dhe duhet të jetë qendra e jetës ekonomike dhe shoqërore, pararojë e kohës”, ka thënë Mexhiti.
Kurse Kryetari i “Esnafëve të Çarshisë”, Bejtullah Morina tha se nuk jemi në gjendje të bëjmë zgjidhje dhe shtoi që duhet të ulen për një koordinim të mirëfilltë dhe të bisedojnë se çka është e mira e Çarshisë dhe çka është prioritet për momentin.
“Pranojmë çdo donacion qoftë nga Qeveria, Çairi ose Shkupi nëse shkon atje për ku edhe është nisur. Kemi pasur dhe kemi nevojë për një bashkë-koordinim të mirëfilltë, sepse nuk kemi nevojë që dikush të na jep “setër” nëse na nevojiten pantallona. Nëse pas përfundimit të kalldërmës, do të vijë projekti i mirëfilltë për kanalizim për ujërat fekale dhe atmosferike, që ti rregullojmë në mënyrë më modeste dhe të mirë do të duhet që përsëri ta gërryejmë kalldërmën, shkaku se momentalisht kur bije shi, bodrumet e shumë dyqaneve mbushen me ujë”, tha Morina, duke komentuar projektin e fundit të Komunës së Çarshisë rreth restaurimit të dyqaneve.
Mevludin Imeri
Almakos.com