Më shumë se një muaj e gjysmë debat për shkarkimin e Marko Zvërlevskit, por assesi nuk arrihet në pikën e votimit. Deputetët e VMRO DPMNE-së i replikonin njëri tjetrit dhe kritikonin kundërshtarët e tyre politik për instistimin në shkarkimin e Marko Zvërlevskit, duke thënë se Zvërlevski i pengon LSDM-së pasi ka hapur raste kundër Zaevit dhe se Zvërlevski është fillimi i spastrimit politik. Debati kërcente nga një temë në temë tjetër. Nga Marko Zvërlevski deri tek zjarret që i kanë kapluar malet, shëndetësia jo e mirë e të tjerë, vetëm e vetëm që sa më gjatë ta mbajnë fjalën deputetët e VMRO-së. Sipas deputetes së VMRO DPMNE-së Daniella Rangellova, pushteti duhet të tregojë arsyet e shkarkimit të Zvërlevskit e jo të heshtë.
DANIELLA RANGELLOVA, VMRO
“Dua t’u bëj thirrje deputetëve të LSDM-së që të dalin dhe të tregojnë me dinjitet përse prokurori Marko Zvërlevski duhet të shkarkohet. Nuk them se argumentet e tyre mund të mos jenë të drejta por po shohim se gjatë kësaj periudhe po debatojnë vetëm deputetët e VMRO DPMNE-së ndërsa të tjerët po heshtin, ose del dikush dhe thotë se të gjithë do të shkoni në burg…Kështu del se doni ta shkarkoni Zvrlevskin që të mundeni të ngreni sa më shumë akuza para zgjedhjeve lokale. Dëshironi të bëni cirk, të defokusoni duke menduar se do të shmangni vëmendjen nga problemet që i keni si Qeveri”
Tomisllav Tuntev nga LSDM ishte decid se ata nuk debatojnë për gjëra të pakuptimta në një atmosferë të tillë.
TOMISLLAV TUNTEV, LSDM
“Ne kemi thënë se nuk do të marrim pjesë në një debat të tillë pa kuptim. Edhe po e harxhojmë kohën tonë, edhe paratë e qytetarëve dhe nuk ka asnjë efekt. Kemi shumë për të folur për Marko Zvërlevskin. Qindra njerëz janë mbajtur në burgje pa akuza. Kemi shumë për të folur, për shumë gjëra të këqija që ju janë bërë qytetarëve të pafajshëm. Na lini të fillojmë me reformat. Në të gjitha raportet ndërkombëtare është theksuar se reformat në gjyqësor duhet të fillojnë me shkarkimin e Marko Zvërlevskit”
Deputetët e VMRO DPMNE-së kritikuan madje edhe mediat duke thënë se ata që raportonin kundër Qeverisë ose siç e quanin Regjimit, tani nuk po raportojnë për probleme dhe çështje shumë serioze pasi tani janë bërë me pushtetin.
Debati maratonik për shkarkimin e Marko Zvërlevskit po vazhdon tashmë një muaj e gjysmë por asesi nuk arrin në pikën e votimit. Prej që ka filluar debati për Zvërlevskin, Nikolla Gruevski nuk është paraqitur fare në Kuvend, ndërsa Ai Ahmeti rrallë herë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
debati Kuvend by tvshenjaofficial