VMRO DPMNE-ja opozitare ka ndryshuar qëndrim për mbështetjen e reformave të parapara në Planin qeveritar 3 6 9. Ilija Dimovski nga kjo parti konfirmoi për Alsat se pas ngjarjeve të javës së fundit që rezultuan me heqjen e imunitetit të deputetëve të VMRO DPMNE-së nga shumica parlamentare, gjërat kanë ndryshuar dhe se që tani e tutje nuk ka asnjë garanci se kjo parti do të mbështesë reformat e nevojshme për integrimin e vendit në NATO dhe BE.
LSDM-ja tregoi se nuk ka nevojë për opozitë në Kuvend. Që tani e tutje gjithçka është e mundur. Qëndrimi ynë ka ndryshuar shumë, për shkak të revanshizmit politik- tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.
Nëse VMRO DPMNE-ja nuk do t’i mbështesë reformat, ato nuk do të mund të realizohen në tërësi dhe kështu vendi do të humb trenin e fundit për integrim në BE, vlerësojnë ekspertët. Zoran Neçev nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” që po monitoron realizimin e Planit 3-6-9 .
Qeveria si bartës kryesor I reformave ka përgjegjësinë më të madhe për gjithë procesin. Gjithsesi përgjegjësi kanë edhe të gjithë institucionet tjera dhe aktorët tjerë politikë, mes të cilëve edhe partitë politike në Kuvend. Prandaj vlerësoj se të gjithë duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të votohen të gjithë ato ligje dhe të mos vihet në pyetje axhenda evropiane e Republikës së Maqedonisë, sepse kjo në të vërtetë është periudhë kruciale, kur duhet të tregojmë pjekuri dhe kapacitet. T’i sjellim ligjet dhe të presim rekomandim të pastër- tha Zoran Neçev, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.
Ndërkohë profesori universitar, Mitko Gaxhovski shprehet optimist, sipas tij është koha e fundit që partitë politike ta tejkalojnë vetveten dhe interesat shtetërore t’i venë para atyre partiake.
VMRO DPMNE-ja në periudhën e kaluar jepte deklarata të ndryshme, I interpretonte punët në mënyrë të ndryshme. Megjithatë në shumë raste atë që e deklaronte në TV nuk e realizonte në praktikë. Mendoj se kështu do të ndodhë edhe në këtë rast dhe në fund VMRO DPMNE-ja do t’i mbështesë reformat për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Për shkak se duke e pasur parasysh vullnetin e qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE që është mbi 70% dheme vetë faktin se nëse VMRO DPMNE-ja nuk do ta mbështesë procesin do t’i kundërvihej vullnetit të tyre- tha profesor Mitko Gaxhovski.
Gaxhovski vlerëson se takimet e fundit të kryeministrit dhe kreut të opozitës tek presidenti, Gjorge Ivanov lënë për të shpresuar se megjithatë mund të ketë bashkëpunim kur është në pyetje interesi nacional. Ndryshe, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani ditë më parë kishte kërkuar takim me deputetët e opozitës për reformat, ndërsa këto të fundit kishin kërkuar të përfshihen në hartimin e strategjive.
Anesa Salihu