Takimi i mbrëmshëm mes Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së dhe Ali Ahmetit të BDI-së, sipas Antonio Milloshoskit të VMRO-DPMNE-së konsiderohet fillim i negociatave për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, sipas Milloshoskit, VMRO-DPMNE nuk lëviz nga qëndrimet e saja. Për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme dygjuhësia në tërë territorin si dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike. E ndërkaq nga BDI, kanë theksuar se pa u përmbushur këto kushte nuk do të ketë marrëveshje për formimin e Qeverisë.
“Pozicionet tona për ato çështje mbetën të pandryshueshme. Sot, përsëri do të bisedojmë për atë temë, por nuk besoj se komiteti ekzekutiv do t’i ndryshojë pozicionet që tanimë i ka konstatuar”, tha Milloshoski, anëtar i Komitetit Qendror të VMRO DPMNE-së.
Ndryshe, takimi i mbrëmshëm mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, sipas komunikatave identike të të dyja partive, në fokus ka vendosur rezultatet e zgjedhjeve dhe situatën aktuale politike në Maqedoni. Në komunikatë nuk u zbulua as vendi i realizimit të takimit dhe as nuk u shpalosën fotografi të takimit të realizuar.
“Është biseduar për dy çështje të cilat përfshijnë analizën e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor të cilat u vlerësuan si të lira, fer dhe demokratike, si dhe kanë analizuar situatën aktuale politike. Dy liderët këmbyen mendime rreth situatës paszgjedhore si dhe për sfidat e ardhshme në këtë drejtim”, qëndron në komunikatat e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së.
Tanimë ka kaluar gjysma e afatit për formimin e Qeverisë me mandatar Nikolla Gruevskin. Më 9 janar presidenti Gjorge Ivanov i dha mandatin për formimin e Qeverisë, partisë e cila ka numrin më të madh të deputetëve, që në këtë rast është VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit.
Ajo që mbetet e paqartë në gjithë këtë situatë është se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për formim të Qeverisë, kush do ta marrë mundësinë e dytë për formimin e Qeverisë, nga 30 janari kur dhe skadon afati 20 ditor i Gruevskit. Në opinion kanë qarkulluar shumë teori. Mbështetës të VMRO-DPMNE-së kanë thënë se edhe mundësia e dytë duhet t’i jepet VMRO-DPMNE-së, pasi në Kushtetutë nuk shkruan që nëse dështon mandatori i parë, pas tij mandati t’i jepet liderit të partisë së dytë me radhë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/