Xhafaj: Akuzat ndaj meje, shpifje të ulëta

Shqipëri | Publikuar më 20.03.2017 në ora 19:17

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar këtë të hënë lidhur me akuzat e bëra ndaj tij ditët e fundit. Përmes një deklarate për shtyp, Xhafaj ka mohuar që të ketë ushtruar funksione në strukturat e ish-regjimit komunist.

“Asnjë ditë të jetës time nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të sigurimit të shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit, që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Këto ditë kam dëgjuar në media gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin tim”, deklaron Xhafaj.

Ai i ka cilësuar si “të pavërteta” pretendimet e dy personave se i ka dhunuar në vitin 1986. “Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe dhe telefonata të porositura se në vitin 1986 e paskam dhunuar, apo torturuar, vit në të cilin unë nuk kam qenë fare në punë në organet e drejtësisë së asaj kohe. Në janar të vitit 1986, unë kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar. Ndërkohë, janë të pavërteta pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës. Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gjykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986”, thotë Xhafaj.