Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, sot iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, duke thënë se qeveritë duhet të përqendrohen në përgjegjësitë e tyre, dhe jo në dallimet, AA.
“Jam i bindur se kemi të njëjtin qëllim – paqen në botë. Jam i bindur se ne ndajmë të njëjtat angazhime. Jam i bindur se ndaj sfidave të përbashkëta do të përgjigjemi me zgjidhje të përbashkëta. Paqja, angazhimi për një jetë të denjë dhe zgjidhje të përbashkëta janë vlerat përmes të cilave Republika e Maqedonisë arriti të kapërcejë një krizë të thellë politike që madje ndikoi rajonin tonë. Ne jemi një vend i vogël plot me diversitete. Kemi kaluar nëpër sprova të rënda, sepse ne jemi bashkuar rreth vlerave të përbashkëta. Prandaj, sot Republika e Maqedonisë është e lirë e sigurtë dhe e qëndrueshme. Republika e Maqedonisë është një mik i fqinjëve të saj dhe është e orientuar drejt integrimit të plotë në NATO dhe BE”, tha Kryeministri Zaev.
Në fjalën e tij, ai tha se Republika e Maqedonisë, edhe çerek shekulli pas pranimit në OKB ende ka të hapur çështjen e emrit me fqinjin e saj jugor Greqinë dhe tha se të dy vendet tashmë zbatojnë masa për ndërtimin e besimit.
Kryeministri i Maqedonisë theksoi se në muajt e fundit qeveria që ai drejton ka promovuar një qasje të re ndaj fqinjëve të saj, duke demonstruar aftësinë për të kapërcyer çështjet e pazgjidhura.
Zaev paralajmëroi se Maqedonia do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha vendet anëtare të OKB-së dhe së bashku të mbështesë paqen në botë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Përveç kësaj, në fjalimin e tij, kryeministri Zaev iu referua edhe krizës së migracionit, duke theksuar se Maqedonia ka trajtuar me sukses këtë sfidë.
“Ky është një fenomen global, i shkaktuar nga shkaqe dhe me implikime të ndryshme. OKB miratoi një deklaratë gjithëpërfshirëse politike dhe u zotua të intensifikojë bashkëpunimin ndërkombëtar. Republika e Maqedonisë mbështet proceset konsultuese në vazhdim dhe merr pjesë në to. Ne presim rezultat që do të përfshijë të gjitha aspektet e fenomeneve globale”, tha ai.
Duke folur për sfidat me të cilat përballet bota, kryeministri Zaev shprehu shqetësim rreth testeve bërthamore të Koresë së Veriut dhe u shpreh për denuklearizimin paqësor të vendit.
Në fund të fjalimit, Zaev tha se Republika e Maqedonisë mbetet një mbështetëse solide e multilateralizmit. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju dhe me të gjitha shtetet anëtare të OKB-së për të forcuar së bashku paqen dhe sigurinë botërore, për të promovuar të drejtat e njeriut, për të arritur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjitha çështjet e tjera që janë vendimtare për njerëzit që ne përfaqësojmë”, tha Zaev.