Zaev u takua me policë sllovenë, të cilët kanë ndihmuar në sigurimin e kufirit jugor gjatë krizës së emigrantëve

Maqedoni | Publikuar më 13.11.2017 në ora 21:30

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u takua sot me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Sllovenisë nga misioni për përkrahje të Republikës së Maqedonisë në sigurimin e kufirit jugor gjatë kohës së krizës së emigrantëve.

Në takimin morën pjesë kryeministri slloven Miro Cerar, si dhe zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë dhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikolovski, ministri pa portofol i angazhuar për Diasporë Edmond Ademi dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski.

Zaev theksoi se për të është nder i posaçëm që ka mundësi t’u falënderohet pjesëtarëve të MPB-së së Sllovenisë për kontriburtin joegoist që të marrin pjesë në sigurimin e kufirit të Republikës së Maqedonisë, në periudhën kur Maqedonia dhe Evropa u ballafaquan dhe e kanë zgjidhur krizën.

Kryeministri Zaev në fjalimin e tij theksoi se të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta kur është në pyetje siguria e qytetarëve dhe shoqërive tona.

Cerar me këtë rast tha se Sllovenia dhe Maqedonia përmes këtij bashkëpunimi të dy vendeve në kufirin e BE-së i kanë konfirmuar marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira mes dy vendeve. Bashkëpunimi mes ministrive të punëve të brendshme në vepër e tregoi nevojën për aksione të përbashkëta për disa nga sfidat globale për paqen dhe stabilitetin në botë.