Zaevi i dikurshëm dhe ai i sotmi, pse duhet t’i japim shans Lëvizjes BESA dhe shembulli me Kosovën

Kryesore | Publikuar më 13.09.2017 në ora 14:42

Fitim DIKA

-BDI nuk del nga koalicioni me VMRO-në sepse kreu i kësaj partie është zhytur në korrupsion.

-BDI është e kapur nga krimi.

-BDI e bën këtë vetëm për të na bërë presion dhe është e vështirë që të krijojmë koalicionin qeveritar me ata.

-BDI është e lidhur me aktivitetet kriminale të VMRO. Kjo i bën ata si vëllezër binjakë.

-Të burgosurit e Monstrës janë shqiptarë të pafajshëm dhe ata padrejtësisht qëndrojnë atje.

-Ish ministri i Shëndetësisë së Gruevskit është i korruptuar dhe PSP-ja do t’i ngrejë padi penale. Çdo përgjim i “bombave” që lidhet me krimin do publikohet dhe do dalë përpara drejtësisë.

Këto shprehje nuk janë të opozitarëve shqiptarë dhe as të funksionarëve të Lëvizjes BESA, por të liderit të LSDM dhe njëherësh kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev. Vetëm se jo gjatë kohës kur mori pushtetin, por gjatë rrugës për të ardhur në pushtet. Fjalitë e mësipërme i gjeni thjeshtë duke kërkuar në “Google”. E zezë mbi të bardhë, pa ju dridhur qerpiku i tha shumicën e tyre përpara mediave vendase dhe një pjesë për të përditshmet perëndimore. Kjo i mundësoi atij marrjen e 15-20% të votave shqiptare, pasi shpëtimi dhe çlirimi i vendit nga autokracia dhe semi-diktatura ishte ai.

Deputeti shqiptar i LSDM, Muhamed Zeqiri ka qenë edhe më i ashpër kundrejt figurave të BDI – nëse ju kujtohet opozitarizmi i tij për deponitë në qytetet shqiptare, pra me çrast, kritikat e tij për kryekomunarët shqiptarë.

Tani çfarë ndodh?

LSDM jo vetëm që përmes Prokurorisë Speciale nuk ka ngritur asnjë procedurë penale për udhëheqësit e lartë të BDI, por sipas gjitha gjasave do mbështes katërcipërisht “partinë kriminale” dhe “vëllaun binjak të VMRO” – BDI e Ali Ahmetit.

Ne e dimë që BDI, përpara se të kërkojë koalicion qeveritar me LSDM, ka kërkuar mbështetjen e kësaj të fundit në zgjedhjet komunale dhe “revizion” për financat e BESËS – diçka pragmatiste. E dimë gjithashtu se disa sende “nuk mund ti kuptojmë nga jashtë” dhe se “duhet të jesh brenda për ta kuptuar”, megjithatë për hir të gjithë atyre taksapaguesve që votuan LSDM e Zoran Zaevit dhe Muhamed Zeqirin, popullit që i ishte prekur ekonomia nga keqqeverisja e kapur nga krimi VMRO-BDI; LSDM duheshte ti bëjë ndryshe llogaritë.

Disa pyetje retorike

A duhet të qeverisemi akoma në këtë formë nga liderët tanë shqiptarë?

Pse emigrojmë kaq shumë?

A ia vlen të ndryshojmë kanaçet dhe pija të mbetet e njëjta?

A nuk na dhimbsen fëmijët kur i shikojmë se ku luajnë? Si luajnë?

A jemi të lumtur në këtë vend?

Nëse fjalët e mësipërme të Zaevit dhe pyetjet do i interpretoja unë, atëherë unë do thoja se shqiptarët njëherë e mirë duhet të kuptojnë se liria dhe dinjiteti nuk mund të vijë nga votëbesimi ndaj një partie maqedonase dhe aq më pak nga jashtë. Ne si shqiptarë duhet vetë ti përveshemi punës, ashtu si shembulli i kolibrit, për të arritur lirinë, dinjitetin dhe më vonë edhe zhvillimin ekonomik. Në këto kushte kur shohim se gjithë partitë shqiptare janë bërë bashkë kundër BESËS dhe në kohën kur nga të përkëdhelurit e VMRO u kthyen në të përkëdhelurit e LSDM, duhet ti japim mbështetje maksimale Lëvizjes BESA.

BESA është ndryshimi i vërtetë që mund të ndodhte, pse jo, mbase edhe mund të na zhgënjente, por mbetet shpresa e vetme. Të tjerat kanë melodinë e qeverisjes së kaluar.

Shembulli me Kosovën dhe shansa e fundit

Nuk është qëllimi të kritikojmë, por të mundohemi të tregojmë realitetin. Andaj shumica e fjalëve të mësipërme thjesht janë të cituara.

PDK në Kosovë dhe BDI në Maqedoni, qeverisin prej më shumë se një dekadë. Fitorja e ngushtë e koalicionit PAN(A) në zgjedhjet qeveritare në Kosovë ka sjellë sërish skenat e dhimbshme të largimit të shumë banorëve. Shpresa dhe Frymë e re në Kosovë ishte dhe është Vetëvendosja. Në Maqedoni është Lëvizja BESA. Kjo Frymë e re mund të bëhet realitet vetëm nëse ne i mbështesim maksimalisht dhe pa mundësuar që një palë e tretë të vendos për ne.

Në rast të kundërt, emigrimi masiv, përkundër kushteve të pavolitshme, vetëm sa do rritej (eksponenciale). Kjo nuk i konvenon asnjë partie shqiptare – kush do qoftë ajo.