Sipas kryeministrit Zoran Zaev thuhet se përdorimi i gjuhëve të komuniteteve pakicë me kushtetutë është i lejuar, deri aty ku lejon Kushtetuta, dhe që është nevojë reale e qytetarëve, duhet të mundësohet. Pra, sipas tij çdo gjë që është në ligj është kushtetuese, dhe beson se ligji do të miratohet dhe përfundimisht në Maqedoni ky debat që nga pavarësimi i shtetit, për nevojat e bashkësive më të vogla etnike, do të mbyllet, për të hapur çështje më të rëndësishme. Por, shumë analistë e gjuhëtarë kanë ngritur zërin për zvarritjen e këtij ligji. Në një bashkëbisedim me analistin Nijazi Muhamedi, për Almakos, jep një këndvështrim gjithpërfshirës, duke thënë se Zaevi është shumë i qartë, por shqiptarët janë të çkapërdredhur në mendimet e tyre, shrkuan Almakos.
“Zaevi që thotë se “ligji mbi gjuhët..” nuk e mbyll MO-ja, pa i bërë të barabartë “bashkësitë më të vogla etnike” në përdorimin “zyrtar” të gjuhëve të tyre, nuk është kontradiktor, siç nisën ta quajnë mediat shqipe këtu e gjithandej ndër shqiptarë, por është i qartë: Ky ligj, që përkundër definimit kushtetues të gjuhëve zyrtare në Maqedoni (maqedonishtja dhe “gjuha e komunitetit që përbën mbi 20 përqind”, me “pëlqimin e shqiptarëve”, e degradon statusin kushtetues bashkëzyrtar të “shqipes” në “status të një gjuhe minoritare” dhe të njëjtësuar me statusin e gjuhëve të “komuniteteve më të vogla, siç romët, serbët, dhe me këtë “do mbyllet “zbatimi i MO-së”, ndërsa, shqiptarët shpërndajnë mendjehutinë dhe vetëmashtrimin e tyre rreth “ligjit mbi gjuhët…”, thotë analisti Nijazi Muhamedi dhe ngre disa dilema.
Muhamedi thotë se Zaev, pra, është shumë i qartë, sikundër është i qartë bashkë me të edhe Gruevski, se është teksti i ekspertëve të këtyre të dyve që kanë formuluar “ligjin mbi gjuhët…”, që e dijnë çka në të vërtetë është ky tekst dhe janë “ekspertë-lexuesit” shqiptarë që shpërndajnë mjegullën e leximit “ndryshe” në bodrumet qeveritare të këtij teksti, që do të dalë edhe më “ndryshe” gjer kur do miratohet.
Ai shton se Zaev është i qartë, se e di që kjo punë e “zyrtarizimit” (që në fakt mund të ishte “bashkë zyrtarizim”, të “gjuhës së komunitetit që përbën mbi 20 përqind”,një glosonym (emërgjuhe) i fshirë në kushtetutë, nisi si “vërdallisje e shqiptarëve” nëpër të çarat e Kushtetutës dhe të ligjit, dhe do mbarojë si vërdallisje e turpshme e tyre nëpër bodrume qeveritare, duke “zbatuar boshësinë e Marrëveshjes së Ohrit”.
“Ky tekst, pra, nuk i shpërthen caqet e “kushtetutshmërisë së statusit të gjuhëve zyrtare”, por e degradon atë status kushtetues të “gjuhës bashkëzyrtare” të “shqipes, duke e kthyer “shqipen” në “gjuhë minoritare”, e me këtë vë edhe “lakun e ngushtimit” të përdorimit të funksioneve të asaj të barabarta me gjuhën e “parë ( e të vetme zyrtare-maqedonishten. Me këtë, nuk hapet e drejta e maqedonasve për ta “kundërshtuar” kushtetutshmërinë e këtij ligji (me precedent të vecantë në praktikën legjislative të Maqedonisë, që një ligj t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese para miratimit të tij, pra, përkundër Ligjit mbi gjykatën Kushstetuese), por duhet hapur e drejta e shqiptarëve që ta kundërshtojnë degradimin e statusit kushtetues të gjuhës bashkëzyrtare, pra të “shqipes”. Me këtë, ky Propozim – ligj, gërryen, në fakt, rrënon pikërisht MO-në, e cila, e hamendësuar gjoja si “kornizë negocim – zbatimi” të pluralizmit gjuhësor, kulturor ,identitar, vazhdon të zbatohet si “kornizë-gërryerje, si kornizë-rrënim e atyre të drejtave të “negocuara”,dhe, nëse e bëjmë të ndalet,”përmbyllja e MO-së do mbarojë me “gryerjen, me rrënimin e plotë të saj”. Fakte të gërryerjes së statusit kushtetues të gjuhës “bashkëzyrtare” shqipe, në këtë Propozim-ligj janë këto: titulli i ligjit, konform statusit kushtetues të gjuhës zyrtare dhe asaj bashkëzyrtare, duhet të jetë Ligji mbi gjuhët zyrtare (që në kushtetutën e MO- së, njihen vetëm dy: maqedonishtja dhe shqipja, që mund të vlejë edhe për “gjuhët e tjera minoritare”, por pasi gjuhët minoritare nuk mund të jenë “zyrtare”, atëherë ligji duhet të mbajë titullin: Ligji mbi gjuhët zyrtare dhe minoritare! Me këtë, duhet të hiqet, të abrogohet Ligji mbi përdorimin e gjuhës maqedonase që është kundërkushtetues, se mohon statusin kushtetues “bashkëzyrtar” të shqipes, ashtu si është negocuar në MO (edhepse me përpjekje për t’u kuptuar e zbatuar në mënyrë konfuze), dhe para Komisionit të Venecias, një organ këshilldhënës në nivel ekspertësh i Këshillit të Evropës, bashkë më “Ligjin e gjuhëve…” duhet dërguar Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, e jo manipulimet me etiketat e veshjeve të “mjekëve” apo të ndonjë gjoja “simboli etniko – kultural” në ndonjë cep të parasë, për të fshehur faktin se ky ligj mbi gjuhët lejon vetëm “të drejtën për të shitur gjizë në gjuhën e shitësit në Strumicë e Prilep dhe për të vënë do tabela drejtimi”, një të drejtë komunikimi të folësve në gjuhën e vet me organet e administratës dhe “të qeverisë”, në disa funksione të kufizuara të përdorimit karshi “gjuhës së vetme zyrtare”, duke ia hequr krye funksionin identitar e kultural që i takojnë për të promovuar e mbrojtur identitetin gjuhësor e kultural të folësve të gjuhës shqipe dhe duke mohuar edhe të drejtën kolektive të përdorimit të saj, që nënkupton edhe të drejtën e themelimit të institucioneve gjuhësore, kulturore të veçanta dhe të drejtën e menaxhimit autonom të tyre”, thotë Muhamedi, për Almakos.
Sipas Muhamedit, ky ligj, në formën e tashme, përmbajtja e të cilit është një përmbledhje e ligjit në fuqi mbi “gjuhët e bashkësive etnike”, me ndonjë zgjerim të parëndësishëm, ndaj edhe mund të vazhdojë të “zbatohet”. Ai mendon se është mirë që u shty për diskutim të mëtejmë (por që duhet të bëhet diskutim publik ndërmjet ekspertëve shqiptarë dhe maqedonas) pas zgjedhjeve. Sepse, siç thotë analisti Muhamedi, në kundërshtim më MO-në është i gjithë modeli i politikës gjuhësore të Maqedonisë. Dhe politikën gjuhësore nuk e përbën vetëm dy “ligje gjuhësore” (ai i përdorimit të maqedonishtes dhe i “gjuhëve minoritare”) por, e përbën ideologjia gjuhësore mbi të cilën është ngritur modeli (ideologji e etnocentrizmit maqedonas, që është konsenzus panmaqedonas (Zaev – Gruevski), e përbëjnë dispozitata e shpërndara gjuhësore (në Ligjin mbi shtetësinë,etj), poashtu e përbëjnë politikat e valorizimit dhe afirmimit të gjuhës së vetme “zyrtare”, e përbëjnë buxheti i ndarë për ato politika thellësisht një etnike dhe bile kolonizatore të gjuhës dhe kulturës.
Muhamedi mendon se modeli i kësaj politike gjuhësore, i cili është një amalgamë e politikës gjuhësore serbe të kohës së Millosheviqit dhe bullgare e ruse të viteve 80’ta, që me represionin e vet u shpreh me tërë egërsinë në të drejtat gjuhësore, kulturale e arsimore të shqiptarëve në Maqedoni ashtu edhe si në Kosovë, duhet kontestuar kategorikisht, dhe në “frymën” e MO-së duhet vënë në tryezë negocimi RIFORMULIMIN, RIDEFINIMIM E TËRËSISHËM TË POLITIKËS GJUHËSORE, NË MAQEDONI, dhe kjo detyrimisht nënkupton poashtu edhe riartikulimin, rikonfigurimin e politikes arsimore dhe kulturore të Maqedonisë mbi baza të pluralizmit gjuhësor e kulturor të realiteteve, në Maqedoni.
Muhamedi tregon arsyen se pse ndodh kjo dhe shton sepse, me këtë politikë, sadoqë bëhen përpjekje që të fshihet pas te drejtave të plota (e gjoja të tepruara) kulturale e gjuhësore të shqiptarëve, Maqedonia është kontestuesja më e madhe e vlerave Evropiane e pluralizmit kulturor, e diversitetit kulturo-gjuhësor, etj. Ai thotë prandaj edhe krye parakushti që Maqedonia të “drejtohet” me kushtetutë e me ligje në paradigmën evropiane, përmes reformimit të “Maqedonisë juridike” nga evoluimi i saj sipas modelit pas sovjetik, në Maqedoninë reale të paradigmës Evropiane. Si fakt mjafton vetëm ky, që e dinë bile edhe “garantuesit” e MO-së, por e tolerojnë forcimin e konceptit jakobinist të “Maqedonisë juridike”, karshi konceptit pluralist evropian të saj, që kundërshtohet pikërisht nga pala maqedonase: Maqedonia, duke ndjekur konceptin jakobinist freng mbi “pakicat dhe kulturat minoritare”,vetëm e ka nënshkruar (1994) Kartën e gjuhëve regjionale dhe minoritare të Këshillit të Europës, por nuk e ka ratifikuar, kështu ka vepruar edhe Franca, e ka nënshkruar, por kundërshton ta ratifikojë. Por, në këtë drejtim, Maqedonia ia kalon Francës me “jakobinizmin e saj të huazuar”. Gjatë nënshkrimit, Maqedonia ka zgjedhur prakun minimal të neneve të kësaj karte 35 nene, prej gjithësejt 90 nene, kurse Franca më pak jakobine prej kësaj, ka zgjedhur 39 nene, pra, 4 nene plus prej Maqedonisë jakobine. Maqedonia, poashtu, kundershton të aderojë, të njohë e të promovojë edhe dokumentet auropiane për interkulturalizmin, bie fjala Libri i Bardhë mbi interkulturalizmin të UE, principet e UNESCO-s mbi pluralizin kulturor, gjuhësor ose i deformon skajshmërisht ligjet.
/Delvina Kërluku
Almakos.com