“Furgon i Verdhë” (Zholtoto Kombe) që u bë sinonim i mbrojtje pa argumente të qeverisë së Nikolla Gruevskit për përgjimin masovik të mbi 20 mijë qytetarëve, gjoja e komanduar nga “shërbimet e huaja”, sipas burimeve nga hetimet vendore, në fakt është blerë dhe është pajisur për nevojat e policisë sekrete maqedonase, DSK, shkruan Dojçe Vele në gjuhën maqedonase.
Për herë të parë “furgoni i verdhë” u përmend në deklaratën e kryeministrit Nikolla Gruevski në pres-konferencën e mbajtur më 31 janar të vitit 2015.
“Pasi ai filloi të më kërcënojë mua, MPB ftoi ekspertët më të mirë për këtë problematikë nga një kompani e njohur ndërkombëtare, e cila me pajisjet e veta vërtetoi se kohë pas kohe në lokalitete të ndryshme, kryesisht në qendër të Shkupit, autor i panjohur kryen përgjim dhe incizim të bisedave telefonike, duke përdorë pajisje mobile lokacioni të cilës ndryshon vazhdimisht, kurse funksionon në bazë të parimit të klonimit të stacioneve bazike. Lokacioni i incizimeve ka ndryshuar në radius prej dy kilometrave, por kryesisht është realizuar në qendër të Shkupit, rreth institucioneve shtetërore”, akuzoi Gruevski para dy viteve, duke aluduar se “bombat” që i publikoi Zaevi janë incizuar nga ky furgon.
Mirëpo sipas të dhënave të siguruara në kuadër të lëndës “Thesari” një veturë e tillë është blerë nga MPB, respektivisht nga DSK. Ajo ka funksionuar si stacion bazik mobil dhe është blerë përmes ndërmarrjes “Finzi” DOOEL Shkup, me aneks marrëveshje nga qershori i vitit 2012, si “pajisje plotësuese” për pajisjet e blera në vitin 2010, transmeton Gazeta Lajm.