Zgjedhjet lokale 2017, PPD: të zëshëm edhe aty ku jemi pakicë

Kryesore | Publikuar më 12.10.2017 në ora 18:37
Bartësi i listës për këshilltar, Adem Ismaili, premtoi se do të jetë zëri i shqiptarëve në komunën e Gazi Babës dhe artikuluesi i të drejtave të tyre, vizavi diskriminimit që, siç tha, ju bëhet nga pushteti lokal.
“Hasanbegu është një vendbanim i madh me popullsi të madhe, ka nevojë për një çerdhe, ajo nuk është askund dhe nuk e ka lyp askush, pse, se nuk kanë mundur, ashtu kanë qenë rrethanat. Ju jap besën që pika e parë është kërkesa ime, që kjo të bëhet në mes Hasanbegut. E dyta është që këtu që kemi pas, që i kemi thënë “opshtina” deri para vërshimeve, kjo ka punuar dhe funksionuar, që atëherë nuk i ra askush pas, se kjo na duhet neve këtu…E kanë hequr këtë vend, e kanë marrë nga pjesa jonë, e kanë çuar në pjesën e maqedonasve dhe puna më e keqe është që të vetmen një e kemi, një shqiptar aty që punon për me ta dhënë një certifikatë, duhet me pyet dikë tjetër që ty me të kryer punë, dhe pse ne mos të mundemi që të rikthejmë përsëri në vendin ku ka qenë dhe besoj që edhe atë mund ta kthej aty ku ka qenë me vite të tëra, aty ku e ka pasur vendin”,- deklaroi bartësi i listës për këshilltar në Gazi Babë nga PPD, Adem Ismaili.
Fuqia dhe brendi i PPD-së fuqishëm po përqafohet nga shqiptarët e Maqedonisë, sepse kjo parti ka ditur si t’i mbrojë interesat e shqiptarëve edhe në kohërat më të vështira, tha lideri i PPD-së, Faton Aliti.
Ai tha se as në komunat ku shqiptarët janë pakicë, këshilltarët nuk duhet të arsyetohen  me mbivotim, por të protestojnë fuqishëm për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve. Aliti tha se edhe pse PPD u shua dhe u ringrit, kursi i saj politik ndiqet nga të gjitha partitë e tjera të formuara më pas.
“Me vjen mirë se pikërisht tash koha e dëshmon se të gjithë ata edhe aktorët e atëhershëm politik, po edhe partitë që janë formuar pakës më vonë, në qoftë se i vëreni edhe i krahasoni kursin tonë politik dhe idenë tonë për Maqedoninë, do ta vëreni se të gjithë ata janë pikërisht në idenë tonë, në kursin tonë. Ne gjithmonë kemi thënë se shqiptarët duhet të jenë pjesë e institucioneve të RM-së, të luftojnë për pozicionin e veta dhe brenda institucioneve dhe ta përmirësojnë pozicionin e tyre në çfarëdo aspekti, kulturor, ekonomik dhe kështu me radhë”,- u shpreh kryetari i PPD-së, Faton Aliti.
Kreu i PPD-së, Aliti, tha se shqiptarët nuk duhet të jenë vetëm spektatorë të situatave të caktuara, por duhet të luftojnë për ndryshime.
“Kërkoj mbështetje për PPD-në më 15 tetor me qëllim që shqiptarët të shohin se si artikulohen kërkesat dhe si mbrohen interesat e shqiptarëve. Këtë e ka bërë vazhdimisht PPD edhe në vitet e ‘90-ta, por atë do ta bëjmë edhe tani”,- tha mes tjerash lideri i PPD-së, Faton Aliti.