Zgjedhjet lokale, për disa parti sukses, për disa dështim

Kryesore | Publikuar më 17.10.2017 në ora 17:36

Maqedonia pothuajse çdo dy vjet zhvillon procese zgjedhore, por edhe përkundër faktit që qytetarët votojnë për të njëjtat subjekte politike në një hark të shkurtër kohor, luhatja në numrin e përgjithshëm të votave që ka siguruar një parti, është i madh, për disa pozitiv dhe për disa negative, shkruan Almakos.

Nën llupë kemi partitë politike më të mëdha shqiptare, BDI, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Kjo e fundi është ajo e cila nuk ka mundur t’i ruaj rreth 14 mijë vota të qytetarëve, pasi në zgjedhjet e kaluara PDSH siguroi rreth 30 mijë vota, ndërsa në këto të fundit rreth 16 mijë.

Almskos.com, kontaktoi me zëdhënësin e PDSH-së, Bardhyl Dauti, duke kërkuar prej këtij të fundit qëndrim për atë se cilët janë faktorët kanë ndikuar që në këto zgjedhje kjo parti të ketë rezultat të tillë, por Dauti ishte i prerë në përgjigjen e tij.

“Dauti: Për çfarë bëhet fjalë, për ndonjë deklaratë?
Almakos:-Po.
Dauti:Nuk jepen deklarata tani për tani?”

Një rritje të konsiderueshme në numrin e votave të siguruara nga elektorati, gjatë zgjedhjeve te fundit, e vërejmë tek Aleanca për Shqiptarët. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2016 kur në koalicion me RDK-në e Vesel Memedit dhe Unitetin e Gëzim Ostrenit kishte 35 145 vota, në zgjedhjet lokale të 15 tetorit Aleanca për Shqiptarët, që garoi si subjekt i vetëm politik, fitoi mbi rreth 19 000 mijë vota më shumë, pra rreth 54 mijë vota.
Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Flakron Bexheti, janë disa vendime të kësaj partie që kanë sjellë një rezultat të tillë, ndër të cilat ceket edhe fakti se ASH, vendosi që në këto zgjedhje të garojë e vetme, duke lidhur aleancë vetëm me elektoratin shqiptarë.

“ Pikë së pari mund të përmendim iniciativën e liderit të Aleancës për Shqiptarët, për të përkrahur idenë e unifikimit të spektrit politik, e cila kulmoi në Shqipëri me deklaratën e përbashkët. Pranoi të bëhet pjesë e pushtetit dhe votoi për kryetarin e ri të Kuvendit, duke e pamundësuar VMRO-DPMNE-në që të vazhdojë të udhëheq, pa marrë parasysh rrethanat e vështira të cilat u krijuan, ku në rrezik u vu edhe vet jeta e kryetarit të ASH, Ziadin Selës. Sigurisht, ndikim ka pasur edhe fakti se në vepruam siç premtuam, pra që në momentin që pranuam për të hyrë në qeveri kemi pasur këmbëngulësi të vazhdueshme, që disa pika që kanë qenë pjesë e programit të platformës së përbashkët, të inkorporohen në programin qeveritar. Pikërisht, këto synime që ishin vetëm pika, sot po bëhen realitet si, Ligji për gjuhën shqipe dhe reformat në drejtësi, ku mund të përmendim shkarkimin e Zvërlevskit, largimi i të cilit sjell mundësinë e hapjes së rasteve të montuara ndaj shqiptarëve”- theksoi për Almakos, zëdhënësi I ASH, Flakron Bexheti.

Rritje në numrin e votave të siguruar më 15 tetor, vërehet edhe tek Lëvizja BESA, e cila në zgjedhjet e parlamentare siguroi rreth 57 mijë vota, ndërsa në këto të fundit rreth 4 mijë më shumë.
Siç thotë për Almakos, zëdhënësi i kësaj lëvizje , Faton Fazliu , këto 4 mijë vota, i pranojnë si vlerësim pozitiv nga elektorati për qëndrueshmërinë që kanë pasur në rrugëtimin 3 vjeçar, pasi që siç thotë, ishte partia e parë dhe e vetme e cila ju qëndroi besnik parimeve të saj ndaj elektoratit.

“Lëvizja BESA pa ndërprerë gjatë gjithë periudhës gati se tre vjeçare si subjekt politik, nuk e ka ndërprerë komunikimin me strukturat dhe qytetarët gjithandej Maqedonisë, kjo në vazhdimësi ka sjellë rritje dhe forcim të radhëve tona, shkaku i qëndrueshmërisë sonë. Duke e pasur parasysh se edhe oferta e Lëvizjes BESA për zgjedhjet lokale ka qenë shumë reale dhe e bazuar në gjendjen faktike në terren me situatën e vendbanimeve shqiptare, dhe kjo ka sjellë besueshmëri të qytetarët se kandidatët tanë do mund ta realizojnë brenda mandatit. Prandaj, edhe kemi rritje të votave gjë që dëshmon se jemi në rrugë të drejtë për të realizuar programet tona nëpër komunat përkatëse, me çka më 29 Tetor me fitoren tonë do të ndodhin ndryshimet e mëdha në vendbanimet tona”- tha Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Përgjigje tentuam të marrim edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por siç ka ndodhur edhe më parë, kjo gjë nuk na u bë e mundur.

Ndryshe,në rrethin e dytë, LSDM dhe VMRO-DPMNE do të garojnë në 19 komuna, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët në 5, BDI dhe BESA në 7, në një komunë BDI dhe LSDM, në një LSDM dhe Lidhja e Romëve dhe në një PDSH dhe BESA.
Rrethi i dytë për zgjedhjet lokale do të mbahet më 29 tetor, kurse kampanja zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në ora 24.
Përgatiti:Evi Shkopi
Almakos.com