Paritë politike shqiptare kanë mendime të ndryshme sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë. Emri i shtetit të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni, kështu vlerësojnë nga opozitarja BESA. Nga BDI thonë se koalicioni qeverisës ka mbështetje të fuqishme për inkuadrim të vendit në strukturat euro-atlantike. Kurse, nga ASH thonë se Qeveria e vendit duhet të krijoj konsesus nacional, për zgjidhjen e këtij problemi, shkruan Almakos.
Nga Lëvizja BESA, e përsërisin qëndrimin e tyre, sa i përket emrit të Maqedonisë ata thonë se, konform Ridefinimit, do të donim që emri i shtetit të jetë mbietnik.
“Emri i shtetit të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë do të vihej në praktikë edhe modeli aq shumë i promovuar qytetar”, deklaruan nga Lëvizja BESA, për Alamakos.
Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se pas përfundimit të procesit zgjedhor, shumica parlamentare, respektivisht koalicioni qeverisës ka marrë mbështetje të fuqishme që në mënyrë të vendosur, pa mëdyshje dhe me shumë guxim tu qaset zgjidhjes së sfidave me të cilat përballet vendi dhe shoqëria.
“Sigurisht se vëmendja e Qeverisë dhe e spektrit politik në vend duhet të jetë në realizim të agjendës euro-atlantike në interes të qytetarëve, përfshirë këtu avansimin e marrëdhënieve ndër fqinjësore dhe evitimin e pengesave që qëndrojnë në realizimin e qëllimit tonë strategjik për tu bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së”, thonë nga BDI-ja, për Almakos.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Maqedonia, dhe Qeveria e saj do të duhet të krijojë konsensus nacional për zgjidhjen e emrit me Greqinë dhe hapjen e perspektivës euroatlantike.
“ASH është e gatshme të japë kontributin e saj në këtë aspekt duke përkrahur politikat dhe përpjekjet për ta tejkaluar këtë kontekst. Jemi të interesuar që kjo zgjedhje të ketë dinamikë të shpejt ngase, ndërlidhet me fatin e integrimit, që është pikësynim dhe objektiv i yni i përbashkët”, vlerësuan nga ASH, për Almakos.
Çështja e emrit me Greqinë po tangon integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike tash e sa vite.
Mevludin Imeri
Almakos.com