Pas takimit, të dy bashkëbiseduesit në një konferencë për shtyp të mbajtur në Press-qendrën e komunës thanë se kanë biseduar për projekte të përbashkëta të cilat janë në vijim, ato që së shpejti do të fillojnë të implementohen, si dhe për projekte potenciale të cilat mund t’i fitojë komuna e Gostivarit e që financohen nga fonde të ndryshme të Bashkimit Europian.
“E njoftova zotin Zhbogar se nesër në orën dhjetë do të mbahet seanca e Këshillit dhe se pres që definitivisht buxheti të miratohet, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve”,- deklaroi kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.
Euroambasadori Zhbogar njoftoi se në takim është biseduar edhe në lidhje me situatën në komunë për sa i përket buxhetit komunal.
“Duhet komuna që të zhvillohet, të ndërtohen kopshte fëmijësh ku do të vendoseshin fëmijët. Andaj unë shpresoj se që nesër buxheti komunal do të miratohet, edhe atë në kornizën në të cilën është propozuar nga kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari”,- tha Zhbogar.
Në kuadër të vizitës, euroambasadori Zhbogar dhe kryetari Taravari, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre, vizituan edhe organizatat qytetare, Asociacioni për Iniciativa Demokratike dhe Shoqatën rome “Meseçina”./mrt.al/