Në Bashkimin Demokratik për Integrim nuk ka koordinim lidhur me pozitën e Aleancës për Shiptarët në Qeveri. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se pas koalicionimit të saj me Lëvizjen BESA në rrethin e dytë të zgjedhjeve, duhet të shqyrtohet pozita e kësaj partie në Ekzekutiv, ndërkaq zëdhënësi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Arbër Ademi tha se shumica parlamentare është stabile, pavarësisht ngjarjeve të fundit.
BUJAR OSMANI, ZËDHËNËS I BDI-SË
“Bëhet fjalë për koalicion me parti opozitare, ku ka edhe spekulime se ka koalicion edhe me parti opozitare maqedonase në atë grup, mendoj se partnerët e koalicionit do të ulen dhe do të sjellin vendim se çka më tutje”
ARBËR ADEMI, ZËDHËNËS I SHTABIT ZGJEDHOR TË BDI-SË
“Unë duhet të theksoj se shumica parlamentare është stabile pa marrë parasysh ndodhitë e fundit”
Ndërkaq, lidhur me këtë çështje u pyet edhe zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Ai nuk dha ndonjë përgjigje konkrete nëse distancohen nga deklarata e Bujar Osmanit, por as nuk deshi të komentojë nëse do të ketë ndryshme në Qeveri pas koalicionimit të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA.
MILE BOSHNJAKOVSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Kjo pyetje, vlersoj se duhet t’i drejtohet subjekteve politike që janë pjesë e koalicionit dhe gjithashtu në këtë moment ajo që dua të them është se kjo pyetje nuk është temë e Qeverisë. Kjo është pyetje hipotetike dhe përsëri hipotetikisht po u përgjigjem, ju orientoj që të drejtoheni tek partnerët e koalicionit”
Këto deklarata qarkullojnë nëpër opinion menjëherë pas marrëveshjes për koalicionim mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale./Ajnur Bafqari /