Zyrtarët kanë shpresë për zgjidhjen e çështjes së emrit (Video)

Kryesore | Publikuar më 14.11.2017 në ora 16:41

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev shpreson se Shkupi dhe Athina së shpejti mund të gjejnë zgjidhjen për kontestin e gjatë lidhur me çështjen e emrit. Ai pas takimit me kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar në Lublanë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve tha se takimi i të dyja palëve dhe ndërmjetësit ndërkombëtar Metju Nimic pritet të mbahet me 20 ose 21 nëntor, duke nënvizuar se pret që këto bisedime të intensifikohen gjatë këtij muaji.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË
“Më 20 ose 21 nëntor presim që të bëhet takimi i parë i negociatorëve të të dyja vendeve me mediatorin Metju Nimic, në nëntor presim që ato bisedime të intensifikohen. Ne në Maqedoni të gjithë, presidenti i shtetit, Qeveria, opozita mundohemi të ndërtojmë konsensus nacional, në funksion të gjetjes së zgjidhjes, jo në vonimin e saj. Me të vërtetë ndërtojmë raporte miqësore me Greqinë, dhe në atmosferë të tillë miqësore, unë besoj personalisht dhe sinqerisht se mund të gjindet zgjidhje për këtë зështje të vështirë. Kështu që Maqedonia hyn në tentativë e cila shpresoj se do të përcillet me qëllim përfundimtar zgjidhjen e problemit të cilin Greqia e ka me emrin tonë kushtetues”

Kujtojmë se Greqia argumenton se emri Maqedoni implikon pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër dhe për shkak të kësaj çështjeje, i ka bllokuar përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ndërkohë që Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, ka realizuar takim me homologun e tij grek Nikos Kotzias ku mes tjerash, sipas komunikatës së Ministrisë së Jashtme, në takim është folur edhe për tejkalimin e çështjes së hapur për emrin.

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
“Në takim bëhej u fol për procesin e tejkalimin e  çështjes së vetme të hapur për dallimet rreth emrit. Ministrat shkëmbyen mendime se si periudha e ardhshme të shfrytëzohet më së miri për arritje të përparimit në proceset nën përkujdesin e OKB-së. e cila pritet të riparohet në kohë të shkurtë. Bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të zhvilluar dialog të hapur dhe konstruktiv në mirëbesim, nëpërmjet të cilit besimi i ndërsjellë do të rritet edhe në të ardhmen”

Ministri Dimitrov, së bashku me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Bruksel, patën takim me karakter pune me nënkryetaren e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë për Politik të Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogerini, me ç’rast u diskutuan temat për zgjerimin e  BE-së, sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit, si dhe sfidat e përgjithshme me të cilat ballafaqohet Kontinenti.Nga Kabineti i zëvendës kryeministrit informojnë se Osmani gjatë takimit ka thënë se nuk është e mundur të ketë kredibilitet të procesit të zgjerimit pa Maqedoninë si pjesë e Strategjisë së Komisionit Evropian për Zgjerim. Sipas tij janë të krijuara kushte përkatëse që viti 2018 të jetë vit historik  për  ambicjet euroatlantike të Maqedonisë, për kur pret të arrihet përparim që do të mbyllë çështjen për në BE dhe NATO.

Në kuadër të vizitës, Osmani dhe Dimitrov u takuan edhe me Komisionerin për Zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han. Ndërkaq ky i fundit, sipas një postimi në faqen e tij në tuitter, ka informuar se po e shikon mundësinë që të vizitojë Shkupin gjatë javës së ardhshme. Siç tha ai, gjatë kësaj vizite pritet të realizojë takime me forcat politike edhe me shoqërinë civile. Han porositi se të gjitha palët konstruktive duhet të kyçen në bashkëpunimin më të frytshëm për vendin. Ajnur Bafqari /SHENJA/