​ Mbi 650 policë të angazhuar për zgjedhjet në veri

​ Mbi 650 policë të angazhuar për zgjedhjet në veri

Zëvendës drejtori Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të vendit, Besim Hoti, ka thënë se situata në veri është tërësisht e qetë dhe nuk ka ndonjë incident.

Sipas tij, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më efikase për qytetarët dhe krijimin e kushteve për të votuar lirshëm, Drejtoria rajonale e policisë në veri është përforcuar me pjesëtarë të policisë edhe nga regjionet tjera të Kosovës.

Ai potencoi se sot mbi 650 pjesëtarë të policisë së Kosovës në katër komunat veriore janë përfshirë nga orët e hershme të mëngjesit dhe deri në përfundimin e tërë procesit.

“Deri në këto momente kur po bisedojmë asnjë thirrje të vetme nuk kemi pranuar as nga qendra e votimeve por as nga të gjithë ata të përfshirit në monitorimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor, që nënkupton se situata paraqitet tërësisht e qetë. Ajo çfarë është e rëndësishme është se duke marr parasysh që vetëm Drejtoria rajonale e policisë ka qenë e përfshirë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, na është dhënë mundësia që të marrim forca dhe njësi shtesë nga regjionet tjera të cilat do të ndihmojnë Drejtorinë rajonale në katër komunat që të ofrojë shërbime sa më kualitative dhe më efikase për qytetarët e saj, me qëllim që ata të votojnë lirshëm dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Sot i kemi diku mbi 650 pjesëtarë të policisë së Kosovës që janë përfshirë nga orët e hershme të mëngjesit deri në përfundimin e tërë procesit”, ka thënë Hoti para mediave.

Zgjedhjet në Mitrovicë, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë duke u mbajtur ndërsa qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00/Telegrafi/

TAGS