​Arsimi në Kosovë, sfidë mbetet depolitizimi i shkollave

Gjendja e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë, ndërsa sfidë mbetet edhe mos zbatimi i kurrikulës, mungesa e teksteve të duhura shkollore dhe politizimi i institucioneve arsimore.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se rezultatet e pritura nuk janë arritur ende, madje ajo konsideron se çdo shtyrje në këtë sektor është krim ndaj të rinjve kosovar.

Sipas saj, më e dukshme është mungesa e kurrikulës që për 10 vite është punuar me tekste shkollore që janë edhe diskriminuese. Ajo ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e arsimit që të arrihet tek një platformë që dërgon në përmirësimin e gjendjes në arsimin në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është ajo që kërkohet të jetë. Sipas tij, sa i takon nivelit të hershem të arsimit janë në përfundim të kurrikulës finale ndërsa tha se janë duke punuar fuqishëm në depolitizimin e shkollave.

Bytyqi ka konsideruar se mungesa e trajnimeve adekuate për mësimdhënësit ka ndikuar që të mos zbatohet sa duhet kurrikula, madje si sfidë ai e ka përsëritur edhe mungesën e infrastrukturës.

Ai tha se janë duke punuar si ministri që ta rrisin nivelin e arsimit të lartë duke punuar në pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit, derisa kërkoi nga udhëheqësit e universiteteve dhe kolegjeve që kontrollohen më shumë këto institucione me qëllim që të ofrohet arsim cilësor.

Se gjendja e arsimi në Kosovë është në gjendje jo të mirë e ka thënë edhe kryetari i komisionit për arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi.

Kurteshi si sfida ka numëruar mungesën e buxhetit dhe menaxhimi jo i duhur i tij, politizimi i shkollave dhe mos përhapja e decentralizimit në arsim./kp/

TAGS