Donacionet për VMRO-DPMNE në vend që në parti kanë përfunduar në xhepin e ish-kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski, pohon Prokuroria Themelore. Bëhet fjalë për një shumë prej 1,3 milion euro me të cilat, siç pohohet, Gruevski ka blerë truall në Vodno. Këtë mëngjes është arrestuar kumbari i tij Risto Novaçevski. Sipas hetimit, Gruevskit i ka ndihmuar Sasho Mijallkovi dhe Orce Kamçevi, të cilët janë i akuzuari i dytë dhe i akuzuari i katërt.
“Paratë që i janë besuar si kryetar i një partie politike i ka përvetësuar dhe një pjesë e atyre të hollave nga personat fizik dhe juridik nuk i ka paraqitur në raport, për shkak se çdo parti duhet të ketë listë të donacioneve të personave fizik dhe juridik. Një pjesë prej këtyre personave fizik dhe juridik nuk janë fare në listën e donatorëve, ndërsa kanë donuar mjete për partinë”. Tha Villma Ruskoska – Prokurore.
Në periudhën prej vitit 2006 deri në vitin 2012, një pjesë të donacioneve të VMRO-DPMNE, Gruevski i ka marrë personalisht dhe nuk i ka evidentuar si donacione në raportin financiar. Paratë janë lëshuar në qarkullim nga tetori i vitit 2012 deri në shtator të vitit 2013, duke blerë truall ndërtimor në Vodno përmes kompanisë-vajzë të një ndërmarrje nga Belize. Udhëheqësi i kompanisë-vajzë ka qenë Novaçevski.
“Në periudhën prej 20 korrikut të vitit 2015 deri më 26 qershor të vitit 2019, pas bisedave të publikuara që e zbulojnë pronësinë e tokave ndërtimore në KK Qendër 2, me qëllim që të fshihet pronari i vërtetë, i akuzuari i tretë si udhëheqës i personit juridik, ia ka transferuar pronësinë një personi tjetër. Ai, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e parë, duke shfrytëzuar autorizimin e dhënë nga pronari i personit juridik nga Belize, e ka transferuar pronësinë e personit juridik udhëheqës i të cilit është i akuzuari i pestë, ndërsa i akuzuari i gjashtë paraqitet si pronar final i personit juridik. Që të fshihet lokacioni, lëvizja dhe pronësia e pronës “pronarët e rinj” kanë sjellë vendim për ndryshimin e emrit të personit juridik dhe për ndarje fizike të parcelës prej 6 785 m2 në tre parcela të reja”, thonë nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Sipas informacioneve tona, hetimi ka dalë nga bombat që i ka dëgjuar prokurorja Lile Stefanova që në PPS, ndërsa tani përmes Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit i ka gjetur vetëm provat materiale, për shkak se bisedat e përgjuara nuk janë më dëshmi në ato procedura. Gruevski është i pa-qasshëm për organet e përndjekjes, ndërsa kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e tij vazhdimisht refuzohen. Për të akuzuarin e tretë, Novaçevskin kërkohet masë paraburgimi, ndërsa për katër të akuzuarit e tjerë, Nenad Josifoviq, Sasho Mijallkov, Orce Kamçev dhe nëna e tij Ratka Kamçeva, gjykata tashmë ka shqiptuar masa preventive për sigurimin e prezencës në lëndë të tjera.