17,5 milionë të infektuar, OBSH: Efektet e koronavirusi do të ndihen për dekada

17,5 milionë të infektuar, OBSH: Efektet e koronavirusi do të ndihen për dekada

Efektet e pandemisë Covid-19 do të ndihen për dekada të tëra dhe miliona vetë në mbarë botën do të jenë të prekshëm ndaj virusit, paralajmëroi shefi i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave.

Pandemia është një krizë shëndetësore që ndodh një herë në shekull, efektet e së cilës do t’i ndjejmë për dekada me radhë. Miliona njerëz në mbarë botën do të preken nga virusi, edhe në zonat që kanë përjetuar valë të tjera pandemie.

Shumë vende besojnë se e kanë kaluar më të keqen, por tani përballen me një tjetër valë. Edhe pse vaksina po zhvillohet me një shpejtësi rekord, ne do të na duhet të jetojmë me këtë virus dhe do të na duhet të luftojmë me çdo armë që kemi”, tha shefi i OBSH-së.

OBSH-ja zhvilloi mbledhjen e radhës pas shifrave gjithnnjë e në rritje nga shtetet më të prekura, teksa numri global i të infektuarve me Covid-19 arriti 17,5 milionë. Në SHBA, numri i të prekurve arriti 4,55 milionë dhe numri i viktimave i tejkaloi 153 000, me Nju Jorkun dhe Nju Xhersin shtetet më të goditura.

Meksika tejkaloi Britaninë e Madhe për nga numri i të vdekurve, ndërsa Amerika Latine po përpiqet të rimëkëmbë ekonominë. Pas Brazilit me 91 000 viktima, tashmë qëndron Meksika me 46 000 vdekje që nga shpërthimi i pandemisë, ndërsa maskat apo distanca fizike në këtë vend ende nuk janë të detyrueshme. Madje, Presidenti Obrador tha se vendi duhet të përgatitet për festimet e Ditës së Pavarësisë më 16 shtator, pavarësisht situatës së pandemisë.