Nuk do të ketë më udhëzime të përgjithshme me prioritet përmes sistemit shëndetësor elektronik “Termini Im” por udhëzimet me prioritet do të bëhen me raport mjekësor në të cilin do të shkruhet saktësisht diagnoza e pacientit, dhe në bazë të shpjegimit të diagnozës do të vlerësohet nëse ka nevojë për termin me prioritet. Ministri i Shëndetësisë Filipçe tha se ndryshimet e tilla vijnë meqë metoda e praktikuar deri më tash ka krijuar shumë tollovi në sistemin elektronik të termineve.
Udhëzimet me prioritet bënë një kaos të vërtetë, prandaj dhe tanimë u bënë ndryshime… ajo nënkupton se nuk do të ketë më udhëzim të përgjithshëm me prioritet, por udhëzim me diagnoza fikse sipas fushës. Dmth saktë do të dihet se me cfarë diagnoze është dhe a është urgjente, atëherë do të merret udhëzimi dhe ai pacient patjetër të kryej kontroll në afat prej 24 orësh aty për ku i është dhënë udhëzimi – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Në një paraqitje për mediat, i pari i Shëndetësisë Filipçe shpalosi se gjatë ditës së djeshme kanë pranuar pëlqimin për punësimin e 20 infermiereve në Klinikën e Pedijatrisë në Shkup. Drejtoresha e kësaj Klinikë Katerina Stavriq, theksoi se Klinika ka nevojë edhe për punësime të tjera.
Shpresojmë që të punësohen edhe mjek, pediatër me qëllim që të ngremë kualitetin e kujdesit shëndetësor në Klinikë. Pajisjet janë të nevojshme shumë, por dhe kuadri është tepër i rëndësishëm – u shpreh Katerina Stavriq, Drejtoreshë e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve.
Gjatë ditës së sotme Ambasada e Gjermanisë, i dhuroi repartit për kujdes Intenziv dhe terapisë pranë Klinikës së Fëmijëve një aparat i cili ndihmon lehtësimin e frymëmarrjes së foshnjave që kanë probleme në organet respiratore, në veçanti tek foshnjat e lindura para kohe. Përmes kësaj Klinika pretendon se do të ulet niveli i vdekshmërisë së foshnjave i cili viteve të fundit po prek majat.
Vjollca Aliti