20 vjet nga Masakra e Celinës, të mbijetuarit rrëfejnë tmerret (Video)

20 vjet nga Masakra e Celinës, të mbijetuarit rrëfejnë tmerret (Video)

Janë bërë 20 vjet nga Masakra e Celinës në Rahovec dhe në fshatrat e tjera përreth. Ata që humbën më të dashurit e tyre presin angazhim më të madh të institucioneve. Rrëfejnë plot dhimbje atë që përjetuan 20 vjet më parë.

Zarafete Hasani, nëna e dëshmorit Afrim Hasani, nga fshati Celinë e komunës së Rahovecit, e ulur pranë varrit të birit thotë se është krenare që ka pasur djem të tillë.

“E kam djalin dhe kunatin dëshmorë. Kunati ka rënë bashkë me gruan dhe dy djemtë. Si dhimbët e nënave, por po duhet të bëjmë gajret sikur të gjithë nënat dhe baballarët. Shyqyr që kemi pasur kësi djem që e çlirojnë vendin”, thotë për RTV Dukagjinin, Zarafete Hasani.

Abedin Zeqiri thotë së në Masakrën e Celinës i ka të vrarë 17 anëtarë të familjes. Shprehet i pakënaqur me punën që institucionet e vendit po bëjnë për këtë kategori.

Valon Zeqiri njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Celinës, thotë se pas ekzekutimit të familjes së tij, serbët e mbajtën atë një natë dhe më pas për fatin e tij të mirë, e liruan.

“Më kanë marrë mua për dore dhe më kanë çuar të shtëpia e mixhës. Aty më kanë mbajtur gjithë natën. Ma kanë lidhur njërën dorë për karrige. Kam fjet me ta gjithë natën. Është zhvilluar një luftë e tmerrshme. Të tregosh atë ngjarje është vërtet e dhimbshme. Në mëngjes herët në ora gjashtë ka ardhur një polic, ma ka zgjidhur dorën dhe më ka nxjerrë deri në rrugë. Aty më ka thënë se duhet të vazhdoj rrugën për në fshatin Xërxe”, rrëfen Valon Zeqiri.

Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat ushtarake e paramilitare serbe vranë 75 civilë në Celinë, 69 në Fortesë e 49 në Brestoc të Rahovecit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj  e ka kujtuar këtë masakër, duke thënë se  Kosova nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për viktimat e masakrave që bënë serbët mbi popullatën e pafajshme shqiptare./RTV Dukagjini/Telegrafi/

TAGS