3 Tetor 2018 / 10:45
Më 3 tetor para 23 viteve u bë atentat ndaj presidentit të parë të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Presidenti i atëhershëm i mbijetoi atentatit ndërsa hetimet dhe motivet për atentatin vazhdojnë edhe sot.
Sulmi u krye me makinë-bombë më 3 tetor të vitit 1995 në orën 09:50 në rrugën “Maqedonia” para hotelit “Bristol” në Shkup, kur Gligorov me makinë zyrtare po lëvizte drejt zyrës së tij në Kuvend. Në një makinë “Citroen Ami 8” ishin fshehur 20 kilogram eksploziv.
Por në këtë atentat humbën jetën shoferi Aleksandar Spirovski, ndërsa u lëndua truproja e tij, Illço Teovski. Si pasojë e lëndimeve humbi jetën edhe kalimtari i rastit Hristo Hristomanov, ndërsa u lënduan edhe dy këmbësor të tjerë.
Pas atentatit u hapën hetime nga ana e MPB-së, ndërsa u kyçën edhe shërbimet e sigurisë të SHBA-ve, Gjermanisë dhe Anglisë. Gligorov ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012 për arsye naturale.