26 vite pritje për një titull në derbi, Partizani gati për festën e madhe!

26 vite pritje për një titull në derbi, Partizani gati për festën e madhe!
13:06 | 12 Maj 2019

90 minuta që vlejnë më shumë se çerek shekulli. 26 vitet pritje të tifozëve të Partizanit për të parë skuadrën e tyre të zemrës të fitojë një titull kampion mund të marrin fund sot.

Në orën 16:30 në kryeqytet në një Selman Stërmasi të mbushur nga tifozët e kuq, Partizani mund të festojë titullin kampion. Luhet derbi ndaj Tiranës dhe ndeshje më të mirë se kjo për të festuar pas një pritjeje kaq të gjatë nuk mund të kishte.

Për ta fituar matematikisht që sot kampionatin skuadrës së Gegës i duhet fitorja por mund t’i mjaftojë edhe barazimi madje edhe humbja, një humbje që në derbi Partizani nuk e pëson që nga shkurti i 2014-ës, sepse gjithçka varet edhe nga ajo çfarë do të bëjë Kukësi në Gjirokastër në ndeshjen ndaj Luftëtarit pasi diferenca mes tyre 4 javë para fundit është 10 pikë.

Partizani shkon në këtë sfidë me mungesa të rëndësishme pasi Telushi, Asani e Mensah janë të skualifikuar ndërsa Idrizaj është i dëmtuar, në krahun tjetër Tirana është më e plotë dhe ka nevojë për pikë për të larguar hijet e rënies nga kategoria pasi në rast të një barazimi ose humbjeje në derbi Kastrioti mund të afrohet ndjeshëm.

Por java e 33-të e Superiores nuk është vetëm derbi Partizani-Tirana, pasi luhen edhe 3 sfida të tjera shumë interesante. Në Gjirokastërl, Luftëtari i etur për pikë, pret Kukësin që synon të blindojë vendin e dytë dhe t’i shtyjë sa më shumë gestën Partizanit.

Në Fushë Krujë Kastrioti luan një tjetër finale për mbijetesën teksa pret në Redi Maloku, Flamurtarin me shumë mungesa por që lufton për Europën. Një ndeshje mes dy rivalëve direktë për vendin e 3-të është ajo që do të zhvillohet në Korçë mes Skënderbeut dhe Teutës. Të 4-ta këto takime do të transmetohen live në ekranin e Supersport duke filluar nga ora 16:30./SS/

[embedded content]

TAGS