22 Tetor 2018 / 16:19
“A ndjeheni i tradhtuar nga deputetët? Të gjithë ne jemi vëllezër- tha Bogdan Ilievski, i akuzuar për ngjarjet e 27 prillit.
Krsto Mukovski, Ljuben Arnaudov dhe Sashe Vasilevski, deputetët që votuan për ndryshimet kushtetuese e morën mbështetjen e një pjese nga të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit, edhe pse vepruan në kundërshtim me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së. Njëri prej tyre ishte edhe Bogdan Ilievski i cili ishte pjesë e organizatorëve të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”. Pas votimit dramatik në Kuvend të premten dhe pas përjashtimit të tre deputetëve nga VMRO-ja që janë të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit, në emër të paraburgosurve sot mbështetje u ofroi edhe Viliam Mihajllovski i cili ka qenë njëri nga personat e maskuar më 27 prill.
“T’i mbështesim deputetët e guximshëm- u përgjigj Vilijam Mihajllovski, i akuzuar për ngjarjet e 27 prillit
Deputetët e VMRO-DPMNE-së sot në gjykatë u futën një nga një. Mukovski vendosi të mos i komentojë ndodhitë e të premtes, përjashtimin e tij nga partia dhe akuzat se ai është tradhtarë.
Sot kemi seancë dhe do të kemi mundësi të bisedojmë për këtë temë- tha Krsto Mukovski, i akuzuar për ngjarjet e 27 prillit.
Deputeti Ljuben Arnaudov ishte më i guximshëm. Ai mohoi se dikush e kërcënoi atë për mbështetje, për ndryshimet kushtetuese dhe se i janë ofruar para në këmbim të votës. Ai thotë se nuk mori premtim nga pushteti se do të lirohet nga aktakuza dhe konfirmoi se letra e dërguar dje nga deputetët që votuan për ndryshimet kushtetuese ishte e tyre. Ata dje shkruan se lidershipi aktual i VMRO-DPMNE-së u ka premtuar amnisti për 27 prillin.
Letra është shumë e mirë dhe rekomandoj që njerëzit ta analizojnë atë mirë dhe ta kuptojnë se është në interes të Maqedonisë. Kush e shkroi atë? Të gjithë së bashku. Atë deklaratë që e dhamë, shikojeni mirë, analizojeni pa shumë bujë dhe do të shihni se ka njerëz të zgjuar që ia duan të mirën Maqedonisë. Askush nuk është tradhtar- tha Ljuben Arnaudov, i akuzuar për 27 prillin.
Mitko Çavkov dhe Igor Durlovski vendosën të mos flasin para kamerës. Por i akuzuari Munir Pepiq kishte një përgjigje interesante për ngjarjet e së premtes.
Unë nuk kam energji elektrike, nuk kam TV, nuk e di se çfarë po ndodh …- u përgjigj Munir Pepiq, i akuzuar për 27 prillin.
Përndryshe, sot në sallën e gjyqit prokuroria paraqiti prova video të ngjarjeve të 27 prillit. Prezantimi filloi me transmetimin e këndimit të himnit shqiptar nga foltorja e parlamentit nga deputeti i BESA-s Zekiria Ibrahimi, intonimin e himnit maqedonas nga Krsto Mukski dhe këndimin e këngës “Një emër kemi”. Përmes kamerave të sigurisë në QTQ, prokurorët treguan se si ka shkuar plani për ekipim në kafenenë Dion. Regjistrimet treguan se si të pandehurit marrin maska dhe drejtohen drejt Kuvendit. Në video nga prokuroria u identifikuan, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, Igor Jug, Goranço Angelovski – Qoseto, Jane Çento, si dhe të tjerët që janë në paraburgim. Një fakt interesant në njohjen e të pandehurve ishte ai se Nikola Mitreski-Koljo kishte veshur të njëjtin jelek që ishte veshur edhe gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend.
Bojan Stojanovski