A shpenzojnë shqiptarët për të dhuruar lule?! Zbuloni shifrat

A shpenzojnë shqiptarët për të dhuruar lule?! Zbuloni shifrat

Industria e luleve, një industri e re në moshë, jo më shumë se 15 -vjeçare, duket se po fiton ndjeshëm terren dhe po bëhet një ndër bizneset në lulëzim.

Të shumta janë rrugët ku dyqanet e luleve janë thuajse ngjitur me njëra-tjetrën, e ndërsa konsiderohet një biznes si gjithë të tjerët në hapje dhe menaxhim. Tregu i luleve të prera, të destinuara për buqeta, dominohet nga importi në masën mbi 90 %, dhe importuesi kryesor është Italia.

E ndërsa importi ka sërish edhe një pjesë të mirë të “tortës” së këtij tregu edhe sa i përket luleve, bimëve e shkurreve dekorative që përdoren për zbukurimin e ambienteve të jashtme e të brendshme të bizneseve, të vilave apo ballkoneve të shtëpive.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, rreth 1 miliard lekë është furnizimi në total vetëm për vitin 2017, vit i cili ka qenë më i miri për tregtarët e luleve, gjë që tregon trendin e qytetarëve drejt zëvendësimit të dhuratave me një buqetë lulesh në rastet e gëzimeve, festave, ditëlindjeve apo edhe pa arsye të veçantë.

Megjithëse një industri e re, duket se orientimi i qytetarëve drejt luleve ka pasur rritje progresive nga viti në vit, fenomen që mbizotëron më së shumti në kryeqytet, çka ka sjellë që edhe bizneset e vogla të tregtimit të luleve të shtohen.  Pronarët e dyqaneve të luleve, shprehen se shpenzimet për këtë produkt janë rritur ndjeshëm. Tendenca është që qytetarët të zgjedhin buqeta të kompozuara me cilësi dhe me një çmim që për nivelin e pagave, mund të përfshihen tek dhuratat e mira, raporton “scan”.

Shpenzimi mesatar për një buqetë varion nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë”. Megjithatë, sipas administratorëve të këtyre bizneseve, qytetarët që blejnë lule kanë një standard mestar apo mbimesatar, duke e konsideruar si një klientelë të përzgjedhur dhe që ia di vlerën shpenzimit të bërë për një kompozim.

Çmimet e luleve janë të ndryshme. Ato fillojnë nga 100 lekë që është karafili deri në 800 lekë që është edhe lulja më e shtrenjtë, peonia, e cila përdoret kryesisht për dasma dhe është sezonale, vetëm në stinën e verës.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/a-shpenzojne-shqiptaret-per-te-dhuruar-lule-zbuloni-shifrat-528002/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright