Ministria e Kulturës do të jetë e hapur për bashkëpunim me gazetarët dhe mediat, që qytetarët të mund të ndjekin nga afër punën transparente të këtij dikasteri. Kështu ka deklaruar në takimin joformal me gazetarët Ministri i Kulturës, Asaf Ademi.
Ai tha se derisa të jetë në krye të këtj institucioni nuk do të lejojë që të financohen projekte dhe aktivitete që janë pa vlerë dhe të cilat kanë për qëllim vetëm përfitimin e parave, por as projekte të cilat ngjallin nacionalizëm dhe urrejtje mes qytetarëve. Përkundrazi, Ademi tha se gjithmonë do të mbështeten aktivitetet të cilat promovojnë vlera dhe që e ngrisin nivelin e kulturës në vendin tonë.
Me kërkesë të mediave, Ministri i Kulturës nënvizoi se ka formuar edhe komision që do të bëjë revizion në punën e Teatrit Shqiptar, ku kryetare e komisionit është Sllagjana Taseva, e cila për 40 ditë do të duhet t’i japë raport Ministrisë së Kulturës.
Ministri Ademi tha se vazhdojnë të punojnë për ndryshimin e Ligjit për Kulturë, por edhe të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore. Nga aktivitetet aktuale, kreu i kulturës theksoi se ka përfunduar konkursi për projektin “Vala Verore”, për të cilin janë ndarë 20 milionë denarë, ndërsa janë pranuar 464 aplikime. Ademi tha se u ka sugjeruar anëtarëve të komisionit që do t’i shqyrtojnë aplikimet që të kenë kujdes dhe të mos u ndajnë mjete aplikuesve që kanë lidhje familjare me të punësuar në Ministri të Kulturës dhe institucione tjera të shtetit.
Madje, duke folur për programin e Ministërisë për vitin e ardhshëm, Ademi tha se anëtarët e komisioneve që do të vendosin për ndarjen e mjeteve do të jenë të rinj, pra nuk do të jenë të njëjtit nga vitet e kaluara. Në këtë mënyrë, sipas ministrit Ademi, do të pamundësohet keqpërdorimi i mjeteve.
Lidhur me decantralizimin e institucioneve të kulturës dhe kalimit të kompetencave të Qendrave Kulturore tek pushteti lokal, Ministri i Kulturës theksoi se ky është projekt afatgjatë, ndërsa ka disa komuna që tashmë kanë marrë në duart e tyre Qendrat Kulturore. Por kjo çështje, sipas ministrit, kërkon saktësi dhe angazhim serioz nga pushteti lokal.
Në lidhje me konkurset për drejtorët që i përkasin dikasterit që udhëheq ai, ministri Ademi nënvizoi se vetëm tre prej tyre nuk janë zgjedhur dhe janë përsëritur, për shkak se kandidatët nuk kanë pasur dokumentacionin e plotë gjatë aplikimit. Kështu që mbeten që të zgjidhen Drejtori i Operas dhe Baletit të Maqedonisë, i Shtëpisë Përkujtimore “Nënë Tereza” dhe i Qendrës Kulturore në Strugë.
https://www.youtube.com/watch?v=ThBylRBjaYA