Ademi prezanton buxhetin për Ministrinë e Kulturës, paralajmëron punësime të reja

Ademi prezanton buxhetin për Ministrinë e Kulturës, paralajmëron punësime të reja

Ministri i Kulturës Asaf Ademi, sot në konferencën për shtyp në qeveri ka prezantuar propozim-buxhetin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2019.

Në fillim të kësaj konference shtypi ministri Ademi ka nënvizuar se synimi dhe vizioni i Ministrisë së Kulturës është të jetë e hapur për qytetarët, me qëllim dhe t’u shërbejë institucioneve kulturore dhe punonjësve të kulturës në vend.

“Propozim-buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2019 arrin 3 miliardë e 140 milionë e 216 mijë denarë (3.140.216.000 denarë), mjete prej të cilave për Buxhetin e vetë Ministrisë së Kulturës janë dedikuar 215 milionë e 50 mijë denarë (215.050.000 denarë), ndërsa për Buxhetin për financimin e veprimtarive arrin 2 miliardë e 925 milionë denarë e 166 mijë denarë (2.925.166.000 denarë), që nënkupton diç më shumë se 92% të mjeteve të planifikuara nga buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës janë paraparë për financimin e veprimtarive nga sfera e kulturës, ndërsa 8% janë parapara për shpenzimet e administratës së Ministrisë së Kulturës”, tha Ademi.

Ai ka potencuar se në propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm ka rritje të mjeteve në pjesën e aktiviteteve kulturore, edhe atë për 32 milionë denarë respektivisht 32% më shumë krahasuar me vitet paraprake.

Ai ka shtuar se me këto mjete do të sigurohen kushte për përmbajtje kulturore me cilësore në të gjitha sferat e kulturës që do të disperzohen në tërë vendin, me çka do të realizohet një nga synimet strategjike – e kjo është qasje në kulturë për të gjithë qytetarët. Nga ana tjetër, për Agjencinë e Filmit, për dallim nga viti i kaluar, në propozim-buxhet janë parashikuar 170 milionë denarë, që është rritje mbi 13% në krahasim me vitin e kaluar dhe 13% rritje mjetesh edhe për veprimtarinë e Folklorit dhe veprimtarinë skenike-muzikore.

Ademi ka shtuar se me qëllim të stimulimit të autorëve, sektorin civil dhe organizatat joqeveritare dhe shoqatat nga sfera e kulturës në krijimin e politikave kulturore në vend, me rebalancin e buxhetit u siguruan mjete për konkurs të ri tematik, i titulluar “Evropianët e Rinj”. Me propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm për realizimin e një konkursi të ngjashëm janë parashikuar mjete në lartësi prej 10 milionëve denarë.

Si pjesë e Strategjisë për Zhvillimin Kulturor 2018-2022 dhe Strategjisë për Zhvillim të Barabartë Kulturor në komunat rurale, në Propozim-buxhetin e vitit 2019 janë parashikuar 125 milionë denarë për dotacione kapitale për NJVL. Për këtë qëllim, ka nënvizuar Ademi, do të shpallet konkurs për Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale me kritere dhe prioritete të qarta, dhe më mënyrë transparente opinioni do të informohet për rezultatet e konkursit.

Në konferencën e sotme për shtyp, ministri informoi edhe për atë se me buxhetin e propozuar për vitin 2019, në pjesën e projekteve kapitale investuese, është planifikuar rikonstruksioni i objekteve QK – Gostivar, i teatrit në Kumanovë, i teatrit në Prilep apo ndërtimi shtesë i objektit të QK – Prilep për nevojat e Teatrit, rikonstruksioni QK – Koçani (faza e dytë), rikonstruksioni i çatisë të pjesës së vjetër të objektit të EN Biblioteka Universitare Nacionale – Shkup, për rikonstruksionin e objektit të Teatrit Shqiptar, për ndërtimin e
Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, për ndërtimin e Teatrit të Vjetër në Strumicë, si dhe rikonstruktimi i objekteve tjera nga sfera e kulturës.

Rritje të Propozim-Buxhetit për vitin 2019 ka edhe në mjetet e dedikuara për pagesën e pagave për punonjësit në Ministrinë e Kulturës, si dhe në institucionet e sferës së kulturës në lartësi prej 5% nga muaji shtator i vitit 2019. Janë siguruar mjeteve për 80 punësime të reja në IN “Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore” dhe 27 punësime te reja për Teatrin e sapoformuar të Gostivarit.

Ministri i Kulturës ka nënvizuar se prioritet i tij kryesor mbetet ligji i ri për interes publik në kulturë, me miratimin e të cilit në Kuvend dhe pas miratimit të ligjit të ri për administratën publike, do të realizohen kushtet për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive në kulturë.