31 July 2018 / 14:49
Nxënësit e klasës së parë edhe nga shtatori i ardhshëm do vazhdojnë të mësojnë me sistemin e vjetër të Kembrixhit deri në miratimin e ndryshimeve të reja ligjore. Ministri i Arsimit Arbër Ademi lidhur me ndryshimet që duhen bërë në librat e historisë dhe teksteve të tjera shkollore pas marrëveshjes së arritur me Greqinë dhe Bullgarinë tha se zyrtarët politik duhet të punojnë në harmonizim me qëllimet strategjike.
Unë kam thënë se të gjithë bartësit e funksioneve politike duhet ti harmonizojnë veprimet e tyre në pajtim me qëllimet strategjike dhe kjo është anëtarësimi i vendit tonë në BE dhe NATO kështu që as unë si ministër, as askush tjetër nuk duhet të lejoj që në këtë moment historik të krijohen tensione – tha Аrbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ministri Ademi në një konferencë shtypi prezantoi investimet kapitale që janë në realizim e sipër, ndërsa paralajmëroi ndërtimin e dy objekteve të reja shkollore në komunën e Studeniçanit.
Me realizimin e këtij projekti nxënësit nga fshati Batincë dhe Lubosh do të kenë objekt të ri me të gjitha standardet e parashikuara me Ligjin për ndërtim dhe me aktet nënligjore. Për këtë investim janë planifikuar dhe siguruar gjithsej 55,460,000.00 denarë në tre vitet fiskale edhe atë për vitin 2018, 2019 dhe 2020 – u shpreh Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Plani për rikonstruimet është ndarë në 7 pjesë, kurse kap vlerën e rreth 78 milionë denarëve. Në rikonstruim përfshihen shkolla fillore në Demir Kapi, në Strugë, në Çair, Sveti Nikollë, Koçan dhe Gostivari. Investimet përfshijnë edhe furnizimin e 18 shtëpive të nxënësve me mobilje, bursa për nxënësit, si dhe salla sportive në disa shkolla të vendit.
Elmedina Aliji