Gjetja e fundit publike e botuesve të librave është zbatuar në vitin 2014. Vijon procedurë e re e cila duhet të përfundojë së shpejti. Pritet që Byroja për Furnizime Publike ta zbatojë procedurën ligjore për kontrollimin e procedurës gjithëpërfshirëse, të nënshkruhen marrëveshjet dhe menjëherë të veprohet drejtë botimit të librave, deklaroi ministri i Arsimit Arbër Ademi.
“Domethënë pesë vitet e fundit nuk ka pasur furnizim publik, sepse ose në disa instanca të tjera ose në procedura gjyqësore në njëfarë mënyre të anulohet e njëjta. Besoj se këtë herë procedura është tërësisht e rregullt dhe se pas pesë viteve do të mund të kemi edhe libra të botuar të cilët për fat të keq mungojnë në shkollat tona”, tha Ademi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për mungesën e librave për filloristë dhe nxënës të shkollave të mesme pas vizitës në Klasën lëvizëse “Një jetë në rrjetet sociale”.
I pyetur se deri ku janë negociatat me SASHK-un në pjesën e rritjes së pagave, ministri Ademi tha se ende e pret vendimin final nga ana e Sindikatës së Arsimit, por shpreson se do të pranohet propozimi qeveritar.
“Pres që kjo rritje e pagave e treta me radhë, 5+5+10, do të pranohet në mënyrën më të mirë dhe dëshiroj që me të vërtetë kjo të ndodhë, sepse është rritje historike në sferën e arsimit deri më tani që nga dita e pavarësimit të shtetit”, tha mes tjerash Ademi.
Në lidhje me nxënësit të cilët nuk janë të regjistruar në klasën e parë përsëriti se Qeveria nuk heq dorë nga obligimi ligjor se gjatë regjistrimit në shkollat fillore duhet të dorëzohet edhe vërtetim nga ana e prindit se fëmija i ka pranuar vaksinat e detyrueshme.