Afrim Gashi: I dashur Ziadin dhe Glauk mirë se erdhët në Kumanovën time

Afrim Gashi: I dashur Ziadin dhe Glauk mirë se erdhët në Kumanovën time

Të dashur aktivistë, të dashur simpatizantë, i dashur miku im Ziadin dhe miku im Glauk.

Po ju them mirë se erdhët në Kumanovën time, për shkak se këtë vend e ndjej sikur me qenë vendlindja ime, andaj mirë se erdhët.

Ju përshëndet të gjithëve që jeni prezent, edhe ministrin e kulturës, kryetarët, kandidatët për deputet, znj. Bujare Abazi të cilës i kam thënë se ku do që shkoj betejën e bëj për numrin katër.

Kur e them fjalën Kumanovë, më asocon në tre gjëra të bukura, prandaj dua që përmes këtyre tre gjërave sonte t’ju drejtohem e ti them disa fjalë që në këtë fllad veror bashkërisht të këmbejmë përvoja dhe fjalë miradije me njëri tjetrin dhe në një ambient të tillë festiv ta kalojmë edhe këtë javë që me 15 korrik ta shënojmë fitoren dhe kthesën e madhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Fjala dhe cilësia e parë e Kumanovës që unë e pëlqej dhe e dua shumë është arti. Në Kumanovë prodhohet art shqiptar sikur në asnjë vend tjetër shqiptar këtu në RMV. I kujtoj me admirim vitet e 80ta dhe 90ta kur të gjitha grupet muzikore popullore e zbavitëse, “HAREJA”, “FOLEJA”, të gjithë ata këngëtar dhe kumanovarë që ishin këtu dhe pamë se arti ende është cilësia dhe vlera e kumanovarëve, andaj ju përgëzoj dhe admiroj për këtë veti që e keni.

Cilësia e dytë që më pëlqen shumë e që na duhet prej këtu ta marrim dhe ta mbjellim gjithkund është dashuria e madhe për arsim. Nuk ka vend në Maqedoninë e Veriut, në vendbanimet shqiptare ku është shfaqur vazhdimisht dashuria e madhe për arsimin. Arsimtarët e parë, betejat e parë për arsimin, protestat, investimet e mëdha të prindërve tanë që kanë dërguar fëmijët e tyre gjithandej, e edhe në Prishtinë që kurrë nuk e harrojmë sepse hapi dyert e universitetit që sot ne ta gëzojmë atë dituri.

ËShtë edhe cilësia e tretë për të cilën vërtetë kam respekt e simpati të veçantë, e ajo është patriotizmi dhe atdhe dashuria! Të gjithë ne e dimë se protestat kryesore të këtij vendi janë bërë prej burrave dhe trimave të këtij qyteti, të cilët kanë derdhur edhe gjak gjithmonë aty ku është folur shqip dhe ku është luftuar për kombin tonë, andaj ju admiroj edhe për këtë punë.

Shoku dhe miku im Elmi, jam shumë i nderuar që unë i prij kësaj liste, por ne e kemi listën e mbushur me aq kandidatë të mirë sa që edhe po e kthyem mbrapsht na del me cilësinë e njëjta, andaj ju faleminderit shumë për besimin e dhënë.

I dashur Glauk, faleminderit shumë që na i përcolle të falat, por unë sot prej kësaj foltoreje bashkë me aktivistët po ja dërgojmë një përshëndetje të madhe  Albin Kurtit. Faleminderit Albin!

Të dashur qytetarë, disa vite me radhë shqiptarët duke parë agoninë e kombit tonë, duke parë degradimin e arsimit, kulturës, zhvillimit ekonomik dhe gjitha sferave të jetës me ngulm e deshën ndryshimin. Disa vite me radhë shqiptarët kanë votuar për opozitën, por përçarjet e ndryshme të partive, forcat e ndryshme, shërbimet e ndryshme sepse UDBA ende është prezent këtu, andaj nuk ka qenë e lehtë por ajo që gjatë kohë është pritur është bashkimi i subjekteve politike shqiptare. E bëmë unë dhe Ziadini! E bëri Aleanca dhe Alternativa, e bëmë të gjithë ne.

Të gjithë shqiptarët kërkuan prej neve të mos merremi me kundërshtarët por, të merremi me platformën politike reale për zgjidhjen e problemeve të tyre.  Andaj ne e dëgjuam edhe këtë zë dhe e bëmë platformën, e tash, tash është koha. Më 15 korrik radhën e keni ju shqiptarë. Fitore!