Agjencia për Rini dhe Sport do të bëjë rikonstruimin e Stadiumit në Çegran të Gostivarit

Agjencia për Rini dhe Sport do të bëjë rikonstruimin e Stadiumit në Çegran të Gostivarit

Agjencia për Rini dhe Sport e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vazhdën e aktiviteteve të veta është duke realizuar edhe disa projekte të karakterit sportiv në territorin e komunës së Gostivarit, njofton Gostivari Sot 

Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, i shoqëruar nga deputetja e zonës, Mirsada Emini-Asani ka vizituar Çegranin, ku pritet të realizohet projekti për rikonstruimin e stadiumit të fshatit.

Me këtë rast, Nura dhe  deputetja Asani janë takuar edhe me drejtuesit e sektorit të urbanizmit, me qëllim për të koordinuar punët për realizimin e projektit.

“Sot në Çegran, së bashku me deputeten e Bashkimit Demokratik për Integrim, znj.Mirsada Emini – Asani dhe përfaqsuesit e komunës së Gostivarit për koordinimin e hapave të ardhshëm për fillimin e rikonstruimit të stadiumit, projekt i financuar nga Agjencia për Rini dhe Sport”, deklaroi Nura, përcjell Gostivari Sot.

Projekti i rikonstruimit të stadiumit në fshatin Çegran, Agjencisë për Rini dhe Sport do ti kushtojë gati 5 milion denarë, dhe pritet të realizohet brenda periudhës një vjeçare.

Nura paralajmëron edhe dy investime të tjera në territorin e komunës së Gostivarit. Në prononcimin për Gostivari Sot, Nura thotë që po punohet për projektin e ndërtimit të Pishinës në qytetin e Gostivarit. I rekomandohet pushtetit lokal të zgjedh dhe propozojë lokacion, për të cilin duhet të kërkojnë dhe sigurojnë leje për ndërtim e pishinës.

Po ashtu, Nura njoftoi që në Gostivar do të ndërtohet edhe një fushë patinazhi për stinën e Dimrit. Projektet pritet të realizohen sapo të kryhet procedura e dokumentacionit dhe dhënia e lejes për ndërtim.

Kujtojmë që Agjencia për Rini dhe Sport, brenda dy viteve të kaluara në Gostivar realizoi projektin e Fitness Zonës që ndodhet mes dy stadiumeve të qytetit, respektivisht tek terreni sportiv përreth lumit Vardar.