AGK: Gazetarët më meritorët në zbardhjen e rasteve të dhunës së pandëshkuar

AGK: Gazetarët më meritorët në zbardhjen e rasteve të dhunës së pandëshkuar

Në konferencën ndërkombëtare “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, pjesë e panelit ishte edhe Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, e cila gjatë fjalimit të saj, theksoi rolin e medieve në raportimin e rasteve të viktimave të krimit.

“Nuk kanë qenë organet e rendit apo të drejtësisë ato që gjithherë e kanë bërë punën e tyre siç duhet. Ka qindra raste në gazetarinë kosovare kur vetëm pas raportimeve në medie, është ndërmarr veprim konkret për mbrojtjen e viktimave, kryesisht gra e fëmijë, qoftë nga organet e rendit apo të drejtësisë”, tha Begolli -Pustina.

Tutje, Begolli Pustina foli për numrin e madh të vrasjeve në Kosovë që dëshmon më së miri gjendjen e shtetit tonë sot dhe se sa kanë bërë institucionet e vendit në këtë drejtim.

“Jo pse ne gazetarët nuk gabojmë ndonjëherë por me përgjegjësinë më të madhe them se janë pikërisht gazetarët ata që më së shumti kontribuojnë në zbardhjen e rasteve të krimit, dhunës dhe parregullsive tjera në Republikën e Kosovës. Janë gazetarët ata që janë më meritorët në sensibilizimin e dhunës së pandëshkuar dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave.”

Konferenca ndërkombëtare “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, u organizua nën përkujdesjen e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe në mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe UN WOMEN. /Lajmi.net/