Ahmeti: Kurti nuk e kundërshton Tribunalin, por e ka problem pse Veseli e ka hedhur këtë ide (Video)

Ahmeti: Kurti nuk e kundërshton Tribunalin, por e ka problem pse Veseli e ka hedhur këtë ide (Video)

Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini, Arben Ahmeti ka kritikuar veprimin e deputetëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes për largim nga salla kur po kërkohej vota e tyre për themelimin e një komisioni fakt mbledhës për krimet e luftës.

Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Albin Kurti nuk e ka problem idenë e themelimit të Tribunalit por sipas tij problem se kush ka nisë këtë ide.

“Zoti Kurti edh për bashkimin me Shqipërinë pse tash e ka zoti Thaçi si ide ai do të del kundër. Është mënyrë e tij e të bërit politikë. Nuk i duron bashkautorësitë as në parti as askund tjetër, për atë iu nda edhe partia”.

Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini, ka thënë se është e dhimbshme se në Kosovë ende nuk është arritur të ketë drejtësi për viktimat e luftës.

Ai ka thënë se është e dhimbshme dhe e turpshme në çfarë situate ka ra Kuvendi i Kosovës sidomos me publikimin e fotografisë nga Flora Brovina.

“Por një gjë nuk e kuptoj. Qysh mundet një deputet të çohet e ta lëshoj sallën kur i kërkohet vota për të ngritur një komision i cili do të mbledhë fakte për krime të luftës. Qysh mundet një deputet që ka marrë votën e popullit e të ngrejë dorën e të votojë Gjykatën Speciale, e një milion dallavere që bëhen në Kuvend”.

Ahmeti ka thënë se është dytësore nëse inicimin e Tribunalit e ka nisë Veseli, Thaçi, Ranushi apo kushdo tjetër.

“Ideja është në esencë “çka po të kërkohet të ngresh dorën apo të krijosh një mekanizëm i cili do të mbledhë dëshmi për krimet e luftës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini ka thënë se nëse do të mblidheshin faktet për krimet e luftës ka shumë mënyra se si ato do të adresoheshin në institucionet ndërkombëtare.

“Mund ta bënim me të njëjtën kartë siç bëri Serbia përmes senatorit Dick Marty. Edhe në mund të arrinim rezultatin e njëjtë”, tha ndër të tjera Arben Ahmeti./Telegrafi/

TAGS