Nëse nesër zhvillohet takimi në ditën e shënimit të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, me gjasë do ta mbajë vetë, pasi asnjëra nga partitë politike shqiptare, nuk do të marrin pjesë në të. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, nuk e ka refuzuar ftesën në mënyrë kategorike, megjithatë ka kërkuar prolongim të takimit pas datës 17 gusht, pra pas ditës së hënë si dhe modifikim të ftesës, gjegjësisht në përmbajtje të ftesës së ardhshme të ketë një propozim për rend dite në mënyrë që të dihet arsyeja e organizimit të takimit. Anëtari i Kryesisë Qendrore të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi theksoi se krerët e koalicionit Afrim Gashi dhe Zijadin Sela, ftesës i janë përgjigjur zyrtarisht gjatë ditës së djeshme.
Zeqirija Ibrahimi, AA
“ Dje kryetarët e Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët zotëri Afrim Gashi dhe zotëri Zijadin Sela i kanë kthyer përgjigje zyrtare kryetarit të BDI-së, se e kanë pranuar ftesën për takim në tryezën e partive parlamentare shqiptare me një kërkesë të vogël që të shtyhet takimi për disa ditë për arsye teknike, sepse në ftesë nuk është parashikuar rendi i ditës dhe thjesht kërkohet që të caktohet një agjendë dhe të caktohet një ditë tjetër. Pra kërkesa e vetme e kryetarëve Sela dhe Gashi është që takimi të mbahet pas së hënës, pas datës 17 gusht 2020 dhe në ftesën e ardhshme të caktohet agjenda e takimit. ”
Këtë që e thekson Ibrahimi, theksohet edhe në letrën që Sela dhe Gashi mbrëmë ia kanë nisur kreut të BDI-së.
Tabelë:ASH-AAA
Pas ftesës së pranuar nga ju për një takim të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, dëshirojmë t’ju përgjigjemi se koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa parimisht është dakord për një takim të tillë. Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe, si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu në letër kërkohet saktësimi i agjendës së takimit
Tabelë: ASH-AAA
Në funksion të një takimi përmbajtjesor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë për arsyen e organizimit të takimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare. Në këtë drejtim konsiderojeni mundësinë e një date tjetër duke nisur nga e hëna (17.08.2020) e tutje, sigurisht duke na njoftuar disa ditë më herët me rendin e ditës së takimit.
Por nga Bashkimi Demokratik për Integrim insistojnë që takimi të mbahet nesër, ata pasi e kanë marrë përgjigjen zyrtare, janë kundërpërgjigjur duke theksuar se takimi duhet të mbahet nesër duke i bashkangjitur edhe një dokument me rendin e ditës, e duke theksuar se i njëjti mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozime nga të gjithë pjesëmarrësit në takimin e përbashkët.
TABELË: BDI
“Rrjedhimisht, BDI ka propozuar rendin e ditës për takimin e 13 gushtit i cili mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozime nga të gjithë
pjesëmarrësit gjatë takimit të përbashkët. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në dispozicion dhe i hapur edhe për takime vijuese gjatë javës së ardhshme ose edhe në cilën do datë të ardhshme të dakorduar bashkarisht në takimin e nesërm, e enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, në hotelin Park në Shkup.”
BDI në këtë komunikatë ka ftuar edhe mediat që ta ndjekin këtë takim. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti më 10 gusht i ftoi liderët e partive shqiptare në takim të përbashkët me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, më 13 gusht. Ftesa u drejtohej Afrim Gashit të Alternativës, Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA, Zijadin Selës së Aleancës për Shqiptarët dhe Menduh Thaçit të PDSH-së.