20 March 2018 / 15:53
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë i cilëson si të papranueshme propozimet për emrin e Maqedonisë me përcaktim gjeografik. Kreu i ASHAM, Taki Fit thotë se askush nuk ka të drejtë legjitime të bisedojë për çështjen e identitetit dhe për ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Sipas tyre ndryshimet e tilla janë absolutisht të papranueshme dhe absurde.
Propozim emrat Republika e Maqedonisë, ose eventualisht emër me përcaktim gjeografik, të shqiptohet si në gjuhën maqedonase dhe të shkruhet vetëm me shkrim latin, gjegjësisht emri i gjuhës, maqedonisht, poashtu të shkruhet me shkrim latin dhe të flitet sic bëhet në vendin tonë, janë absurde dhe nuk mbajnë – deklaroi Taki Fiti, Kryetar i ASHAM.
Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë shprehu qëndrimin e saj lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas tyre sjellja e një ligji të tillë është e drejtë legjitime e çdo etnie që jeton brenda vendit.
Në mënyrë absolute, të gjithë bashkësitë që jetojnë në Maqedoni kanë të drejtë legjitime të kërkojnë përparim të përdorimit të gjuhës së tyre. Për këto çështje është patjetër që të flitet me tolerancë të përbashkët në mes gjithë aktorëve politik dhe të sillen vendimet pa asnjëfarë imponimi apo kushtëzimi nga çfarëdo lloj ane – u shpreh Taki Fiti, Kryetar i ASHAM.
Por anëtarja e Akademisë Katica Çullavkova shpreh mendim të kundërt nga Kryesia e ASHAM-it.
Konsideroj dhe jam thellësisht e bindur , në bazë të analizave komparative se propozimi i ri për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve rrezikon situata në të cilat do të kërcënojë të drejtën e secilit qytetar maqedonas pavarësisht etnisë ta përdorë gjuhën maqedonase sepse gjuha e cilësdo pakicë etnike mbi 20% do të mbulohet si renditje hierarkike – tha Katica Çullavkova, anëtare e ASHAM.
Akademiku Izet Zeqiri nga ana tjetër thotë se sjellja e një ligji të tillë është zbatim i Marrëveshjes së Ohrit, ndërkohë që kërkon që institucionet kompetente të merren me çështjen e implementimit të ligjit.
Ligji është vetëm një zbërthim i marrëveshjes së Ohrit dhe amendamentit pesë nenit 7 të Kushtetutës. Kemi një avansim të përdorimit të gjuhës shqipe që aspak nuk rrezikon karakterin unitar sepse Gjuha Shqipe nuk do të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase. Ne duhet të fokusohemi në implementimin e ligjit, sa më shpejtë të formohet Agjencioni për implementimin e ligjit dhe Inspektorati për implementimin e këtij Ligji – theksoi Izet Zeqiri, Akademik.
Ndryshe në Kuvendin e Akademisë që u mbajë sot, u shpalos programi i punës së ASHAM-it për 2018-tën i cili kryesisht do të bazohet në reformat prioritare në fusha të ndryshme shkencore.
Vjollca Aliti