AKR: Kemi të drejtën kushtetuese të kemi anëtarin tonë në KQZ

AKR: Kemi të drejtën kushtetuese të kemi anëtarin tonë në KQZ

Aleanca Kosova e Re vlerëson se vonesat e deritanishme për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi kanë qenë të pa arsyeshme, në kundërshtim me funksionin kushtetues të tij, pasi i njëjti garanton funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të Kosovës.

Në një deklaratë për media kjo parti përkujton se neni 139 i Kushtetutës së  Kosovës është i qartë sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe mënyrës së propozimit të tyre nga ana e grupeve parlamentare.

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin Nr. K079/18, datë 03.12.2018, që ka të bëjë me nenin 139.4 të Kushtetutës, AKR konsideron se tani i mbetet presidentit të bëjë interpretimin lidhur me atë se çka konsiderohen grupe parlamentare në Kuvend dhe kush ka të drejtë të propozojë anëtarë të KQZ-së, në situatën e tanishme juridike.

Bazuar në logjikën e nenit 139 të Kushtetutës si dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO119/14, datë 26.08.2014, Aleanca Kosova e Re (AKR), ka bërë propozimin e saj për anëtar të KQZ-së, duke pasur parasysh që është regjistruar në seancën konstituive të Kuvendit, si grup parlamentar së bashku me LDK-në dhe se si e tillë ka marrë pjesë në koalicion parazgjedhor dhe është regjistruar në fletëvotime, ashtu siç e përcakton edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas këtij aktgjykimi, përkujton AKR,  grupe parlamentare njihen vetëm ato të cilat si të tilla dalin nga dokumentacioni i certifikuar i zgjedhjeve, në këtë rast në zgjedhjet e vitit 2017, LDK-AKR, kanë qenë të certifikuara në këtë mënyrë dhe po në këtë mënyrë edhe kanë marrë pjesë në seancën konstituive të kësaj legjislature.

“Këtë logjikë të interpretimit, se grupet parlamentare, si të tilla dalin vetëm nga dokumentacioni i zgjedhjeve dhe seanca konstituive e Kuvendit, e dëshmojnë edhe veprimet e fundit të Presidentit të Republikës së Kosovës, si dhe ftesat e bëra nga ai, për grupet parlamentare, sipas mënyrës se si janë certifikuar në zgjedhje”, thuhet në deklaratë.

AKR i rikujton presidentit që ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK dhe si e tillë edhe është paraqitur në seancën konstituive. Kjo nënkupton që edhe AKR, si pjesë e këtij koalicioni parazgjedhor ka të drejtë të propozojë anëtarin e saj në KQZ, në emër të koalicionit parazgjedhor me LDK-në, gjë të cilën edhe e ka bërë, me shkresën dërguar presidentit, me datë 27.12.2018, ku e propozuar për anëtare të KQZ-së nga AKR, si pjesë e koalicionit parazgjedhor Myzejene Selmani.

Bazuar në logjikën e interpretimit të grupeve parlamentare, sipas seancës konstituive, presidenti duhet të marrë për bazë propozimin e secilës parti, për emërim të anëtarëve të KQZ-së, që ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor, sikur është rasti i AKR-së dhe LDK-së.

AKR konsideron se grupet parlamentare nuk duhet të shihen sipas fuqisë aktuale në parlament, por sipas Kushtetutës dhe Ligjit.

Bazuar në faktet e përmendura më sipër, AKR ka të drejtë kushtetuese të ketë anëtarin e saj në KQZ, pasi ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK-në dhe në këtë mënyrë edhe është certifikuar në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2017.

Secila praktikë tjetër që do të krijohet nga presidenti në emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke mos marrë parasysh kërkesat e subjekteve politike, sikur rasti i AKR-së, është një praktikë kundër kushtetuese dhe që bie në kundërshtim me vetë funksionin e presidentit si dhe rolin e tij unifikues dhe garantues të funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës.

TAGS