Akreditimi i mentorëve ulë numrin e doktoraturave

Akreditimi i mentorëve ulë numrin e doktoraturave

Kufizimet ligjore me qëllim të vendosjes së standardeve te shkollat e dokoraturës kanë prerë hovin e megalomanisë sa i takon ofertave akademike. UKM që për vitin 2018/2019 ofron 11.661 vende për studimet deridiplomike, 4647 vende për studime master dhe vetëm 870 për studime të doktoraturës, UT nuk ka hapur ende konkurs për studime të shkallës së tretë, ndërsa në UEJL për studimet e shkallës së tretë ofrohen vetëm 37 vende

 

Laura PAPRANIKU

Shkup, 11 korrik – Studimet e shkallës së tretë, apo shkollat e doktoraturës sikurse njihen tani këto lloj studimesh nëpër institucionet e arsimit të lartë, në Maqedoni janë rrudhur së tepërmi nëse krahasojmë numrin e vendeve të planifikuara për studimet e doktoraturës të krahasuara me numrin e vendeve të planifikuara për studimet e magjistraturës, shkruan gazeta KOHA. Për numrin e vendeve që ofrohen për studime të ciklit të parë, tanimë dihet prej kohësh. Rritja enorme e vendeve të planifikuara për studime deridiplomike është kthyer në mani shoqërore. Universitetet bëjnë garë se cili të hapë më shumë programe studimore dhe kush të ofrojë numër më të madh vendesh për regjistrimin e studentëve.

Mirëpo, kufizimet ligjore me qëllim të vendosjes së standardeve te shkollat e dokoraturës kanë prerë hovin e megalomanisë sa i takon ofertave për këtë lloj studimesh. Ka universitete, të cilat nuk kanë fituar ende të drejtën e hapjes së studimeve të shkallës së tretë dhe numri i tyre nuk është i vogël, ashtu sikurse ka të tjerë ku ky numër është krejt simbolik.

Gjithë kjo shpjegohet me kërkesën që numri i vendeve të doktoraturës të jetë në raport të drejt me numrin e mentorëve të akredituara. Kështu, universitetet përveçse duhet të kenë të akredituar paraprakisht programet studimore të shkallës së tretë që të mund të hapin Konkurs për pranimin e kandidatëve doktorantë (për studime të doktoraturës), ato duhet që të kenë edhe numrin e nevojshëm të mentorëve të akredituar.

Ky lloj certifikim i mentorëve, i cili kalon përmes Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Maqedoni, me automatizëm ka zvogëluar kotat e studimeve të doktoraturës në Maqedoni, pasi nënkupton plotësimin e predispozitave paraprake për studime të atij niveli. Cilësia e studimeve janë pastaj diçka tjetër, e cila nuk varet vetëm nga numri i mentorëve të akredituar, por që padyshim duke reduktuar sasinë krijon pak më tepër kushte ose jep shpresë edhe për cilësi. Këto lëvizje mund të vërehen edhe në disa prej universiteteve me të rëndësishme në vend sikurse janë ai i Shkupit, Tetovës apo Evropës Juglindore. Nga të tre këto universitete, vetëm Universiteti “Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM) ofron numër më të madh të vendeve për studime deridiplomike – 832 gjithsej. Universiteti i Tetovës (UT) nuk ka fare studime të shkallës së tretë për vitin akademik 2018/2019, ndërsa Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) ofron vetëm 37 të tilla.

Në të tre këto universitete, pa përjashtuar edhe UKM-në që në dukje të parë lë përshtypjen e institucionit me ofertë të begatshme të studimeve të shkallës së tretë, bazuar në numrin e vendeve për studimet e ciklit të tretë, mund të konstatohet gjendja jo aq e mirë sa i takon nivelit të profesorëve universitar që janë të angazhuar në këta institucione.

Për të marrë kualifikimin mentor i akredituar, sigurisht që kandidatët duhet të plotësojnë disa kritereve më të larta shkencore, të cilat mund ti japin të drejt institucionit të planifikojë hapjen e studimeve të dokoraturës. Nuk ndodh kështu me studimet master dhe studimet deridiplomike për çka flasin dhe shifrat. UKM-ja, për shembull, për vitin e ardhshëm akademik ka hapur Konkurs për 11.661 vende në studimet deri diplomime. Niveli universitar është atë 5.913 në kotën e studimeve të rregullta, 4.573 në kuotën e studimeve me bashkëfinancim dhe 1.175 në kuotën e studimeve me korrespondencë. Ndërsa për studimet e shkallës së dytë, niveli i studimeve të magjistraturës janë hapur 4.647 vende.

Pra si numri i studimeve deri diplomike, ashtu edhe i atyre të shkallës së dytë është shumë larg numrit të vendeve për studimet e shkallës së tretë, të doktortaturës (870). Kështu ndodh edhe me UT-në ku janë hapur 3.185 vende për studimet deri diplomike, 1.104 vende për studimet master dhe asnjë për studimet e doktoraturës. Në UEJL janë ofruar 1.205 vende për studime deridiplomike dhe 700 vende për studimet master (520 dy vjeçare, për programet 3+2 dhe 280 një vjeçare për programet 4+1. Mirëpo, numri i vendeve për studimet e shkallës së tretë nuk kalon kuotën e 37 vendeve në 5 fusha shkencore. (koha.mk)