Aksidentet për faj të faktorit njeri, rritet numri i gjobave në trafik (Video)

Aksidentet për faj të faktorit njeri, rritet numri i gjobave në trafik (Video)

85 për qind e fajtorëve në aksidentet e komunikacionit, vlerësohet të jetë vetë faktori njeri.

Përkundër që institucionet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë në trafik, ekspertët e komunikacionit japin edhe ide të tjera, që të parandalojnë aksidentet.

Gjobat e shqiptuara në trafik dhe pezullimet e lejeve të drejtimit, sot në kryeqytet nuk ishin të pakta.

E sipas qytetarit Esad Hajdini, kjo është mënyra e vetme e parandalimit të aksidenteve rrugore.

“Popullata ndryshe nuk ndalet, veç me shqiptim të gjobave. Andaj i kërkoj policisë të dalin sa më shpesh në rrugë”, tha për RTV Dukagjinin, qytetari Esad Hajdini.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, numëron tri shkaqet kryesore të aksidenteve në vendin tonë.

“Fajtor për aksidentet në Kosovë janë njeriu, automjeti dhe rruga. 85 për qind të rasteve të aksidenteve fajtorë janë njerëzit, ndërsa 15 për qind automjeti dhe rruga”.

Ahmeti gjithashtu tregoj se cila do të ishte zgjidhja më e mirë e kësaj problematike.

“Kisha bërë thirrje te institucionet tona që të bëjnë një kontroll më të rreptë të gjendjes teknike të automjeteve dhe gjendjes teknike të rrugëve. Të kemi më shumë kamera në rrugë dhe disa masa preventive nga policia. Radarët statik do kishin ndihmuar në zbutjen e problemit mjaftë mirë”, ka deklaruar më tej eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti, përcjell Telegrafi.

Nga ana tjetër, në deklaratën e lëshuar nga Policia e Kosovës, thuhet se në krahasim me vitin e kaluar, gjatë këtij gjashtëmujori është evidentuar rënie e aksidenteve për 13.25 % , ndërkaq tiketa të shqiptuara në po këtë periudhë janë gjithsej 184801.

Ndërsa, në aksidente komunikacioni nga fillimi i vitit, kanë humbur jetë 60 persona, prej tyre 6 vetëm të dielën e kaluar. /Telegrafi/

TAGS