Aksioni në veri, i arrestuar edhe një rus – bashkë me një serb dërgohen në spitalin e Mitrovicës

Aksioni në veri, i arrestuar edhe një rus – bashkë me një serb dërgohen në spitalin e Mitrovicës

Dy qytetarë të arrestuar nga Njësia e Speciale e Kosovës, një rus dhe një serb janë dërguar në Spitalin e Mitrovicës.

Zëdhënësja e Spitalit të Mitroviës, Nita Mustafa, konfirmoi për Telegrafin se dy të arrestuarit, tashmë janë duke marrë trajtimin në spital.

“Janë sjellur në spital edhe dy persona, të cilët janë qytetarë të arrestuar. Njëri është i komunitetit serb dhe tjetri i përket komunitetit rus. Ata kanë disa lëndime të lehta trupore”, konfirmoi Mustafa për Telegrafin.

Në spitalin e Mitrovicës janë duke u trajtuar edhe katër policë, të cilët janë plagosur gjatë aksionit në veri kundër krimit të organizuar. Gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Lexo po ashtu:

Ndërkohë, operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se së bashku me IPK-në, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.

Operacioni policor ka filluar rreth orës 05:00 dhe është duke vazhduar. /Telegrafi/

TAGS