Aktivitet i përforcuar diplomatik i Qeverisë në prag të samiteve të BE-së në të cilat priten vendimet kyçe për finalizimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare deri të fund të këtij viti gjatë periudhës së kryesimit gjerman, me çka edhe zyrtarisht fillon procesi negociues.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov prej dje ndodhet për vizitë dyditëshe në Paris, në tentim që të sigurojë mbështetjen franceze në kontekst të rrumbullakësimit të suksesshëm të rrëfimit tonë evropian të këtij viti. Ai dje në takimin me sekretarin shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë franceze për Evropë dhe punë të jashtme, Klemen Bon, bashkarisht konstatuan se me miratimin e kornizës dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare do të valorizohen të gjitha përpjekjet dhe sukseset që i arriti vendi gjatë periudhës së kaluar edhe nga aspekti i reformave, por edhe në raport me mbylljen e çështjeve bilaterale me fqinjët.
“Nuk është lehtë të merret mbështetja franceze dhe mendoj se Maqedonia e Veriut e meriton. Në njëfarë mënyre kemi interes të përbashkët në bazë të metodologjisë së re, e cila duhet të pasqyrohet edhe përmes Kornizës negociuese, që tani po negociohet në tryezën në Bruksel mes vendeve anëtare dhe të fillojmë përfundimisht me procesin inkuadrues, duke punuar në shtëpi të ofrojmë argumente në mënyrë që çdoherë ta kemi mbështetjen e Parisit. Mendoj se në vizionin e Francës për të ardhmen e Evropës kemi vendin tonë”, deklaroi Dimitrov.
Bon nga ana e tij theksoi se metodologjia e re është voluminoze dhe kërkon shumë më tepër, por procesi bëhet më transparent dhe më mirë do të kompensohen përpjekjet për reformat e zbatuara, ndërkaq shfaqi edhe bindje se do të arrihet përparim në procesin eurointegrues që në dhjetor.
“Mendoj se do të mund të arrijmë përparim në këtë proces, që në muajin dhjetor, dhe gëzohem që bashkarisht dhe shpesh do të bashkëpunojmë sepse kjo është me interes të përbashkët për përforcimin e Evropës, për përforcimin e rajonit dhe për stabilizimin e sigurisë sonë të përbashkët në vitet në vijim. Bëhet fjalë për projekt afatgjatë të cilin do ta ndërtojmë së bashku dhe unë jam i lumtur që do të vazhdojmë të punojmë bashkarisht”, porositi Bon.
Dimitrov dje mbajti takim edhe me Izabel Dumon, këshilltare për Evropë kontinentale dhe Turqi në Kabinetin e presidentit francez, Emanuel Makron, ku u riafirmua perspektiva evropiane e Maqedonisë së veriut dhe dinamika pozitive e procesit reformues, konfirmuar edhe me raportin e fundit të Komisionit evropian, e që janë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe më gjerë, në kontekst të sfidave aktuale të sigurisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërkaq, pati video takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë, Urmas Reinsalu, ku u falënderua për mbështetjen e fuqishme të përkushtimit tonë në realizimin e standardeve evropiane në të gjitha sferat dhe shfaqi pritje në periudhën në vijim të përfundohen të gjitha përgatitjet dhe harmonizimet, në mënyrë që të mbahet Konferenca e parë ndërkombëtare, si hap i parë për ndërtimin e të ardhmes sonë të përbashkët.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dje, përmes lidhjes video-konferenciale e realizoi takimin e parë zyrtar me eurokomisarin për drejtësi, Didie Rejnders, ku u diskutua për eurointegrimet e Maqedonisë së veriut dhe reformat në fushën e sundimit të së drejtës dhe juriusprudencës.