Akuzon hapur

Akuzon hapur

Mesfushori i Athletic, Iker Muniain, ishte shumë kritik ndaj rolit të gjyqtarit në humbjen e sotme të skuadrës së tij kundër Real Madridit në “San Mamés” (0-1) dhe la të kuptohet se, pas rifillimit të La Liga-s, të bardhët po përfitojnë hapur nga vendime të caktuara të VAR-it. Teknologjia u bë sërish protagoniste sot, duke i “dhuruar” penalltinë e fitores të besuarve të Zinedine Zidane.

“Unë nuk e kam parë rastin të përsëritur, por jam i bindur se nuk ishte penallti. Tashmë ne po shohim sesi po zhvillohen ngjarjet këto ditë dhe në favor të cilës skuadër zgjidhen këto situata nga VAR. Secili mund të nxjerrë përfundimet e veta”, – vuri në dukje Muniain.

Futbollisti i Athletic, gjithashtu u ndal te penalltia e akorduar ndaj Raúl García: 

“Unë nuk e kam parë atë moment, por Raúl më tha që nuk pati asnjë kontakt me Marcelo. Në fund të fundit është njësoj si gjithmonë, në zonën tonë jepet penallti edhe prekja më e vockël nga VAR-i, ndërsa në zonën e tyre nuk shohin asgjë”.