“Aleanca për Shqiptarët” dhe “Rilindje me Besë”, nuk do të koalicionojnë me mandatarin Gruevski

Dy koalicionet politike të cilat firmosën platformën e shqiptarëve, koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët menjëherë pas dhënies së mandatit për krijimin e qeverisë së re, deklaruan se nuk do të bashkëpunojnë me Gruevskin.

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi ritheksoi sot se nuk do t’i përgjigjen ftesave dhe ofertave të Gruevskit për krijimin e qeverisë së re.

Sipas tij, në qeverinë e re nuk duhet të përshihen politikanë të dyshuar për krim dhe korrupsion dhe të cilët janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të marrë pjesë në përbërjen e qeverisë së re, deklaroi Zulfi Adili nga Uniteti, pjesë e Aleancës për Shqiptarët, pas lajmit se sot presidenti Ivanov i dha mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, transmeton Alsat M.

Adili theksoi se ”Uniteti nuk ndryshon qëndrimin e kushtetutës në platformën të cilën e përkrahën partitë shqiptare, e cila është bazë për negocimet për formimin e qeverisë së re”.

Vesel Memedi, lider i RDK-së, parti e cila gjithashtu është pjesë e Aleancës për Shqiptarët, thotë se gjithsesi për ta më e rëndësishme është platforma.