Marrëveshja e Ohrit, Prespës dhe ajo për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë janë alfa dhe omega e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vend, si dhe vijat e kuqe që BDI nuk do t’i tejkalojë në koalicionimin paszgjedhor.
Me këtë porosi në intervistën për MIA-n ka dalë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i cili ka potencuar se nuk mund të ketë partneritet me dikë që ka qëllim apo bën përpjekje për shkeljen e këtyre marrëveshjeve, që siç tha, “i kanë relaksuar marrëdhëniet ndëretnike në vend”.
“Domethënë për ne Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për Fqinjësi të mirë më Bullgarinë janë vija të kuqe. Nuk mund të ketë partneritet nëse dikush synon dhe tenton të cenojë këto marrëveshje”, ka thënë Ahmeti i cili në intervistë është përqendruar edhe në moton me të cilën partia e tij merr pjesë në këto zgjedhje parlamentare- kryeministër i parë shqiptar.
Pse kjo ide e cila shkaktoi polemika në opinion- Ahmeti thotë se kjo është vazhdimësi natyrale në politikën që kanë udhëhequr, ose vendosjen e shqiptarëve në pozita të larta prej drejtorëve, ministrave, kryetar i Kuvendit…
Thotë se edhe në zgjedhjet presidenciale kanë dalë me propozim të tyre për shef të shtetit, por atëherë kanë vlerësuar se Pendarovski do të jetë kandidat i pranueshëm dhe plotësisht janë angazhuar që ai të merr mbështetjen.
“Ne bëmë hapin dhe tani është koha kur duhet ta na e kthejnë me të njëjtën. Këto hapa i kemi ndërmarrë në drejtim të qëllimit të mirë, të dërgojmë porosi deri te qytetarët dhe gjithë njerëzit se vendi përparon vetëm kur jemi në komunikim dhe bashkëpunim njëri me tjetrin, dhe jo kur jemi të ndarë apo përçarë”, ka thënë Ahmeti për MIA-n.
Konsideron se ideja për kryeministër të parë shqiptar është porosi e mirë edhe për rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, sepse interesin e këtij shteti bashkë me maqedonasit e mbrojnë edhe shqiptarët si dy etnitete më të mëdha.
“Ky është përfitim i të gjithëve edhe i shtetit, por ne nuk dëshpërohemi nga këto deklarata apo prononcime, por i sinjalizojmë që të kenë kujdes, sepse këto deklarime janë të rrezikshme, pavarësisht a mendojnë ashtu. Dikush mund të thotë se është fushatë, por unë nuk i kapërdij aq lehtë, sepse më befasojnë edhe këta tanët bile, e përdorin kinse për të përmirësuar imazhin, nuk ka për çka e përmirëson imazhin BDI, nuk çka e begaton historinë e vet, sepse nëse ka parti politike me jetëgjatësi në këto hapësira pavarësisht se është krijuar në fillim shekullin e 21-të, BDI është me histori më të begatë si parti politike me përkrahjen më të madhe te shqiptarët dhe këtë veprim nuk e kemi bërë as për të rrit influencën as edhe që jemi frikësuar për ekzistencën”, ka thënë Ahmeti.
Ka shtuar se me vite bën përpjekje të shmanget parcializimi i votës shqiptare në vend në shumë parti pasi siç shton, “kështu humben mandate, humbet fuqia”.
“Koha tregoi se brengat e mia kanë qenë të drejta, para katër vitesh nga 29 mandate sa kanë pasur shqiptarët në Kuvend, kanë rënë në 20 mandate dhe me këtë nuk i humbi BDI zgjedhjet, por shqiptarët humbën nëntë mandate”, ka thënë Ahmeti në intervistën për MIA-n.