Sllogani se ka ardhur koha për kryeministër shqiptar, u lansua në ditëlindjen e 18 të BDI-së, nga vetë kryetari I kësaj partie, Ali Ahmeti. Por propozimi mori reagime të shumta nga të gjitha partitë politike në vend. Kritikat I adresoheshin edhe sqarimit të Ahmetit për ato që ai I quante përfitime të popullit shqiptar në 18 vitet e fundit. Sllogani i ri i BDI-së që më pas u shpërnda dhe nga funksionarë të tjerë të partisë, u prit me reagime të ndryshme nga të gjitha subjektet politike në vend dhe nga vetë partneri i koalicionit qeveritar, kryeministri i LSDM-së Zoran Zaev. Ky i fundit I bëri me dije Ahmetit se mund të mbetet në opozitë gjatë formimit të Qeverisë së ardhëshme duke i thënë se mandatues për kryetar të Qeverisë mund të jetë çdo qytetar i cili do të sigurojë mbështetje prej së paku 61 deputetëve.
ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË
“Nëse LSDM fiton në zgjedhje, unë jam kandidat për kryetar të Qeverisë dhe do të jem kryeministër i cili njëjtë lufton për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, diçka që kam dëshmuar nëpër të gjitha politikat e mia ndër vite. Në përputhje me rrethanat, përderisa BDI ka kush të tillë për koalicion për Qeveri, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme”.
Shënimi i përvjetorit të 18-të, duke shpikur ide me dizajn të bukur, por në esencë të zbrazëta për nga përmbajtja, është dukuri e njohur dhe nuk është për t’u habitur. Të jesh në pushtet kaq gjatë dhe ta shkaktosh këtë eksod masiv të shqiptarëve, si dhe këtë varfëri në shkallë të krizës për bukë, e pastaj të dalësh me ide për kryeministër shqiptar, ky është cinizëm i pastër dhe tallje me shqiptarin në Maqedoni. Kështu kanë reaguar nga Alternativa ndaj slloganit të ri parazgjedhor të BDI-së, duke kujtuar se qytetarët shqiptarë në vend po përballen me problem të cilat sipas tyre janë shkaktuar pikërisht nga qeverisja 18 vjeçare e BDI-së.
ALTERNATIVA
“Sot, kur shqiptari ynë përballet me pyetjet se si do e lidhë muajin me muajin tjetër dhe kur shkalla e papunësisë po na vërshon, ndërsa shumë të rinj, si 300 mijë shqiptarët e tjerë të shpërngulur gjatë qeverisjes së kësaj partie, e kanë mendjen si të ikin nga ky vend, idetë e këtilla, përveçse janë humor i zi, flasin më saktë për katandinë në të cilën i ka sjellë shqiptarët partia që sot e paska shënuar përvjetorin e themelimit. Sikur mos ta dimë se cila është historia e asaj partie, mbase edhe do të ishim ekzaltuar, por duke e ditur seata ishin ata që më 2014 e shpikën idenë e ‘presidentit konsensual’, në mënyrë që Gjorge Ivanov të bëhej president, nuk na bën përshtypje as ideja e ‘kryeministrit shqiptar’. Na mbetet ta shohim se kujt do i shërbejnë kësaj radhe”.
Sidoqoftë, nga AlternAtivA potencojnë se janë këtu për të thënë se shqiptarët nuk kanë nevojë për ide folklorike, por për oferta reale, që e rrisin mirëqenien e qytetarëve, që e ndalin migrimin, e rrisin shkallën e punësimit dhe premtojnë ardhmëri për të gjithë qytetarët e këtij vendi, e veçmas për shqiptarët edhe ashtu të diskriminuar. Ndërkaq, këto ide cinike sipas partisë Alternativa, do të përfundojnë një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve bashkë me shpikësit e tyre.
Aleanca për Shqiptarët, përmes një kumtese e karakterizon 18 vjetorin e qeverisjes së BDI-së si të mbushura me mossuksese, premtime të paplotësuara dhe skandale korruptuese.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Sikur Bashkimi Demokratik për Integrim të kishte përmbushur obligimin e tyre ndaj qytetarëve për gjithë premtimet e dhëna dhe sikur të ishte I sinqertë në idenë për qeverisje shqiptare dhe jo konsensuale, do ta kishe përkrahur kandidatin për president shqiptar në zgjedhjet presidenciale. Por, ju vendosët për president konsensual sepse kjo përkrahje ishte vetëm një lojë politike e BDI-së në shkëmbim të interesave partiake me qëllim që të fitojë disa komuna më shumë në zgjedhjet lokale të cilat e dinte se i kishte të humbura. Në vend ende nuk është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.
Reagime të shumta ka pasur edhe nga figura publike, analistë e personalitete nga sfera të ndryshme, të cilët propozimin e shohin më shumë si një retorikë folklorist me qëllim të përfitimit të poenave politike.