Altin Çekodhima: Si të kuroni gastritin duke luftuar shkaktarët

Altin Çekodhima: Si të kuroni gastritin duke luftuar shkaktarët

Voltiza Duro – Dhimbjet e barkut, djegiet e qëndrueshme ose me periudha të stomakut, apo të vjellat e diarreja mund të jenë sinjalizues që vuani nga gastriti. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku gastroenterolog, Altin Çekodhima tregon se ndonjëherë kjo patologji mund të mos shfaqë asnjë simptomë dhe më tej sqaron se edhe përdorimi i alkoolit, substancave narkotive, dhe stresi mund të shkaktojnë gastrit. Ai shton se komplikimet e gastritit mund të ndodhin me kalimin e kohës, veçanërisht në qoftë se gastriti bëhet kronik ose mbetet i pamjekuar e mund të përfshijnë: ulçer peptike, ulcera hemorragjike, anemi, kancer të stomakut, MALT limfoma dhe strikturë (ngushtim) të lumenit të stomakut, dehidrim, probleme renale madje deri në vdekje. Sakaq, Çekodhima bën me dije se trajtimi i sëmundjes bëhet duke trajtuar shkakun e gastritit, dhe jep disa këshilla të thjeshta për parandalimin e patologjisë.





Çfarë është gastriti?
Gastriti është inflamacion (pezmatim), i mukozës së stomakut. Fatkeqësisht termi “gastrit” është keqpërdorur duke përfshirë një sërë ankesash në lidhje me problemet e pjesës së sipërme të barkut. Në të vërtetë, termi gastrit i referohet pezmatimit të mukozës së stomakut. Në këtë fenomen mund të përfshihet gjithë mukoza gastrike ose një pjesë e saj.

Si klasifikohet sëmundja?
Gastriti mund të klasifikohet në akut (i menjëhershëm), ose kronik. Gastriti akut mund të karakterizohet si eroziv (dëmtime të zonës ku kemi gërryerje), ose joeroziv. Gastriti kronik vendoset histologjikisht (pamja e mukozës gastrike në mikroskop).

Çfarë e shkakton gastritin?
Gastriti krijohet për disa shkaqe, por shumë prej tyre rezultojnë në simptoma të njëjta. Ky fakt ka çuar në konfuzion dhe ja përse disa mjekë tani e konsiderojnë termin “gastrit” si një përshkrim jospecifik të një grupi ankesash dhe simptomash. Shkaku kryesor i të dy llojeve të gastritit (akut dhe/apo kronik) është infeksioni i mukozës gastrike prej një bakteri të quajtur Helikobakter Pilori. Zakonisht ky bakter fillimisht infekton në mënyrë akute (të menjëhershme) regionin antral të stomakut (pjesë e stomakut ku nuk ka prodhim të acidit gastrik), dhe më pas infeksioni mund të zhvillohet në shumë pjesë ose në gjithë stomakun me kalimin e kohës (gastrit kronik) dhe qëndron në stomak me vite. Ky infeksion fillimisht paraqitet si një përgjigje inflamatore e fortë dhe me kalimin e kohës në inflamacion kronik duke shkaktuar disa ndryshime në qelizat intenstinale. Shkak tjetër i rëndësishëm i gastritit akut dhe kronik është përdorimi i anti-inflamatorëve josteroid (NSAIDs) ku bëjnë pjesë: Ibuprofeni, Naproxeni etj..

A ndikon përdorimi i alkoolit, stresi apo marrja e substancave të ndryshme narkotike në shfaqjen e gastritit?
Shkaqe të tjera të gastritit janë edhe infeksionet bakteriale, virale dhe ato parazitare, drogat (kokaina), alkooli, refluksi biliar (kthim i vrerit në stomak), infeksionet mykotike, reaksionet alergjike, stresi, radiacioni, helmimet nga disa ushqime të caktuara, traumat. Në përgjithësi, agjentët infektues, në veçanti Helicobacter Pylori dhe anti-inflamatorët josterioid janë shkaktarët kryesorë të gastritit.

Cilat janë shenjat e gastritit?
Çuditërisht në disa pacientë, shpesh gastriti nuk shkakton shenja dhe diagnostikohet vetëm kur merret biopsi në stomak, kur dyshohet për sëmundje të tjera të stomakut. Megjithatë, kur gastriti shkakton problem, shenjat janë: dhimbje abdominale, djegie e qëndrueshme ose me periudha, dhimbje shtrënguese ose shpuese, nauzea, të vjella, diarre, humbje oreksi, gazra, gromësira. Të gjitha këto shenja përfshihen në një fjalë të vetme “dispepsi”. Shenjat tek disa njerëz me gastrit janë të pakta ose zgjasin për një periudhë të shkurtër dhe shërohen krejtësisht. Ata persona të cilëve gastriti u vjen si pasojë e disa shkaktarëve të caktuar shërohen pasi mjekohen këta shkaktarë. Ecuria e pacientëve me sëmundje kronike dhe e atyre që kanë pasur komplikime të situatës deri në ulcer hemorragjike, obstruksion (bllokim) dhe kancer, është më e kontrolluar.

Si diagnostikohet sëmundja?
Gastriti është diagnostikuar duke gjykuar simptomat dhe historinë e pacientit, historinë e mjekimeve të mëparshme për gastrit, konsumimin e alkoolit dhe përdorimin e anti-inflamatorëve josterioid. Përfundimisht diagnoza vendoset duke identifikuar mukozën e inflamuar të stomakut me biopsi (ku shikohet me mikroskop). Shkaktari më i shpeshtë i gastritit është Helicobacter Pylori. Ky bakter mund të identifikohet nëpërmjet testit të frymës, gjakut, feçeve dhe testit serologjik. Ekzaminimi endoskopik dhe biopsia janë ekzaminime që ndihmojnë në gjetjen e shkaktarëve të gastritit kronik, erozioneve dhe ulcerave të stomakut.

Mund të na tregoni cilat janë mënyrat e trajtimit të gastritit?
Trajtimi i shkaktarëve të gastritit është mënyra më efektive për të reduktuar ose zhdukur fare simptomat. Për shembull në qoftë se shkaku i gastritit është Helicobacter Pylori, atëherë bëhet trajtimi për çrrënjosjen e tij. Në qoftë se shkaktarë të gastritit janë anti-inflamatorët josteroidë, ndalimi i tyre mund të rezultojë efektiv. Pjesa tjetër e trajtimit konsiston në dhënien e antiacideve që reduktojnë prodhimin e acidit gastrik.

Cilat janë komplikacionet e kësaj patologjie?
Komplikimet e gastritit mund të ndodhin me kalimin e kohës, veçanërisht në qoftë se gastriti bëhet kronik ose mbetet i pamjekuar. Komplikimet mund të përfshijnë: ulcera peptike, ulcera hemorragjike, anemi, kancer të stomakut, MALT limfoma dhe strikturë (ngushtim) të lumenit të stomakut, dehidrim, probleme renale madje deri në vdekje.

Si parandalohet gastriti?
Nëse shkaku i pezmatimit të mukozës së stomakut është i parandalueshëm atëherë gastriti mund të parandalohet. Për shembull, nëse konsumimi i alkoolit ose përdorimi i anti-inflamatorëve josteroid në disa persona shkaktojnë gastrit, parandalimi arrihet me ndalimin e konsumimit të tyre. Mund të jetë më vështirë të parandalohen disa shkaqe infektive, por një higjienë e duhur, larja e duarve dhe konsumimi i ushqimeve e pijeve të pastruara në mënyrë rigoroze, janë mënyra të shëndetshme për të ulur riskun ndaj infektimit prej agjentëve shkaktarë të gastritit.

TAGS