Feja mund të përdoret si mjet për arritjen e paqes në Ballkan. Besimi dhe liria fetare na mëson se si t’i falim edhe gjerat e tmerrshme që kanë ndodhur në të kaluarën. Ky është mesazhi që Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare Samuel Brownback ka përcjellë nga Prishtina.
Ballkani në përgjithësi, por edhe Kosova kanë shënuar progres në garantimin e lirive fetare, krahasuar me gjendjen në të kaluarën.
Kështu ka vlerësuar të enjten e shkuar Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Samuel Brownback, në bisedën me “Reporteri.net”, javën që lamë pas, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, në kuadër të një touri të tij në Ballkanin Perëndimor, i cili përfundon sot.
Sipas tij, në Kosovë çdonjëri ndjehet i lirë të praktikojë besimin e tij. Por thotë se puna ende nuk ka përfunduar.
“[…] Dikur në të ardhmen duhet të diskutohet në shkallë të plotë edhe pajtimi, si t’i falim disa nga gjerat e tmerrshme që kanë ndodhur në të kaluarën. Sepse nuk mundemi vetëm t’i harrojmë ato dhe herdokur duhet të përballemi me to. Ne e kemi parë se si edhe disa shtete tjera si Ruanda, Afrika e Jugut, janë përballur me këto probleme. Sikur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim. Këto janë gjëra që duhet të ndodhin në mënyrë që të arrijmë zgjidhje dhe një paqe afatgjate”, ka thënë ambasadori amerikan.
“Ka shumë tragjedi që kanë ndodhur gjatë historisë mijëra vjeçare të këtij rajoni si një udhëkryq i civilizimeve. Mirëpo ato duhet të falen dhe e Feja por edhe njerëzit e politikes duhet të punojnë në mënyrë që t’i lejojnë njerëzit e religjionit që të përdorin mjetet e tyre për arritjen e një paqeje të fortë dhe afatgjate”, shton Ambasadori Brownback.
Ambasadori amerikan kërkon që Kosova të bëjë edhe disa përmirësime bazike të legjislacionit që garanton Liritë Fetare, ndërkohë që vlerëson progresin e vendit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm që për burim ka religjion, ndonëse thekson se duhet ende edhe më shumë punë.
“Ne kemi probleme të ekstremizmit edhe në SHBA. Kemi Sinagoga Hebreje që sulmohen, kemi kisha që sulmohen. Pra mendoj që gjithmonë ekziston mundësia që të bëjmë më shumë për ta luftuar ekstremizmin”, thekson ai.
“Mendoj që e domosdoshme është që qeveria ta luftojë dhunën”.
Lexoni të plotë intervistën:
Zotëri Ambasador Brownback fillimisht ju falënderoj dhe ju uroj mirëseardhje në Kosovë.
Faleminderit. Është kënaqësi të jem këtu.
Ju e keni vizituar rajonin, çfarë mendoni për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme fetare të këtij rajoni?
Mendoj që vazhdon të ketë përmirësime. Mendoj që është më mirë se sa dy herët e fundit që isha këtu. Unë fillimisht erdha në vitin 1991, pikërisht në kohen kur Sllovenia kishte votuar që të tërhiqet nga ish-Jugosllavia dhe mund të shihej që marrëdhëniet kishin filluar të shpërbehen. Po ashtu isha në vitin 1995, në Sarajevë dhe Beograd, në kohen kur një luftë e madhe ishte duke ndodhur. Tani, njerëzit e këtij regjioni bisedojnë për mënyrën se si të bashkëveprojnë dhe si të jetojnë bashkë. Tani situata është në një trajektore më të mirë, por njëkohësisht vazhdon të jetë fragjile. Akoma nevojitet shumë punë për të bërë, përderisa e gjithë bota është duke na përcjellë, sepse lufta ndërmjet feve (krishterimit dhe islamit) është duke u shfaqur në një numër të vendeve në botë. Në qoftë se njerëzit e këtij rajoni ja arrijnë të kuptojnë mirë rëndësinë e bashkëpunimit atëherë ata mund të llogariten si model për vendet e tjera të botës. Nëse nuk ja arrijnë mirë, atëherë do të ishte një histori paralajmëruese për vendet e tjera të botës.
Para se të vinit në Kosovë, ju ishit në Bosnje dhe do të vazhdoni vizitën në Serbi, Shqipëri dhe vende te tjera të Ballkanit. Si qëndron Kosova sipas teje në aspektin e lirive fetare?
Goxha mire deri tani. Mendoj që çdonjëri ndjehet i lirë të praktikojë besimin e tij. Por në të njëjtën kohë, të gjithë janë të shqetësuar. Puna ende nuk ka përfunduar, por është duke lëvizur në kahun e duhur dhe është shumë më mirë tani se sa në të kaluarën, ani pse, ende ka shumë gjera që duhet adresuar, siç janë ligjet fetare të cilat duhet të ndodhin. Praktikimi duhet institucionalizuar si dhe dikur në të ardhmen duhet të diskutohet në shkalle të plotë edhe pajtimi. Si t’i falim disa nga gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur në të kaluarën sepse nuk mundemi vetëm t’i harrojmë ato dhe herdokur duhet të përballemi me to. Ne e kemi parë se si edhe disa shtete tjera si Ruanda, Afrika e Jugut, janë përballur me këto probleme. Sikur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të punojnë me shumë në këtë drejtim. Këto janë gjëra që duhet të ndodhin në mënyrë që të arrijmë zgjidhje dhe një paqe afatgjate.
Po, në aspektin legjislativ a i garanton Kosova qytetarëve të saj të drejtat për Liri Fetare?
Mendoj që Kosova bën një punë të mirë. Mendoj që mund të përmirësohet. Mendoj që duhet të rregullojë disa nga ligjet bazike. Ekziston nevoja që të këtë institucione fetare dhe ato duhet të jenë në gjendje të regjistrohen dhe të ndërtojnë gjera, të kenë varreza si shumica ashtu edhe pakica. Mendoj që Kosova mund të qëndrojë për të punuar më shumë dhe me afër me komunitetet fetare për plotësuar nevojat e tyre, që ata ta praktikojnë të lirë besimin e tyre. Në anën tjetër, komunitetet fetare me të cilat unë jam takuar janë në gjendje të praktikojnë besimin e tyre, ata përgjithësisht janë të liruar nga masat ndëshkimore. Kanë ndodhur disa vandalizma, kryesisht në disa kisha ortodokse. Ato duhet adresuar nga qeveria dhe qeveria duhet t’i mbrojë institucionet dhe të sjellë para drejtësisë këdo që i shkel këto të drejta. Pra, unë mendoj që Kosova është duke ecur në rrugën e drejtë mirëpo janë disa gjëra themelore që duhet të ndodhin. Lejimi i këtyre institucioneve të regjistrohen, krijimi i mundësisë që të kenë varreza, këto janë të drejtat themelore që duhet të sigurohen.
Zotëri Ambasador Brownback çka ju rekomandoni liderëve fetar dhe besimtareve në Kosovë?
Do ju thoja që të bëhen fuqi e se mirës. Një fuqi konstruktive në shoqëri. Një forcë për paqe. Ky është një rajon që ka njohur shumë luftëra dhe ndasi. Shpresoj që ata nuk e kanë qëllimin të arrijnë tolerance mes njeri tjetrit, por duhet të arrijnë ta respektojnë dhe ta duan njeri tjetrin. Që një i krishterë dhe mysliman të arrijnë të jenë shokë dhe të kujdesen për njeri-tjetrin. Pra jo vetëm të tolerojmë njeri-tjetrin dhe të jetojmë në komunitete të ndara, por t’i shtyjmë sidomos të rinjtë që të kenë shokë që janë të ndryshëm nga ata, që të mund të mësojnë nga dallimet. Mendoj që kjo do të kishte një vlerë të madhe për komunitetin fetar. Objektivi duhet të jenë dashuria dhe mbështetja për njeri-tjetrin. Kjo është gjeja që është duke na munguar në më shumë vende se sa që duhet në botë, dhe mendoj që komuniteti fetar mund te kontribuoj këtu.
Ju do të merrni pjesë në një Konferencë në Tiranë që quhet “RELIGJIONI SI NJE INSTRUMENT PAQEJE”. A mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj ngjarje?
Feja mund të përdorët për mirë, por fatkeqësisht mund të përdorët edhe për të keq. Është përdorur për të arritur paqe, por edhe për të nxitur lufta. Ajo për të cilën ne duam të flasim këtu është Feja si një mjet paqeje në Ballkan. Jemi posaçërisht të fokusuar në dy tema. Njëra është liria fetare, që nënkupton që çdo njeri është i garantuar të praktikojë besimin e tij qetësisht, i lirë dhe pa frikë. Pra çdokush është e lirë të praktikojë besimin e tij pa marrë parasysh kush janë ata, cilit besim i takojnë apo ku ndodhen. Ky është një princip themelor i lirisë fetare. Tema e dyte përmban diskutimin se si feja mund të përdorët si mjet për të arritur pajtimin që duhet të ndodhë brenda rajonit. Ka shumë tragjedi që kanë ndodhur gjatë historisë mijëra vjeçare të këtij rajoni si një udhëkryq i civilizimeve. Mirëpo ato duhet të falen dhe e Feja, por edhe njerëzit e politikes duhet të punojnë në mënyrë që t’i lejojnë njerëzit e religjionit që të përdorin mjetet e tyre për arritjen e një paqeje të fortë dhe afatgjate. Në konferencë do të marrin pjesë Akademikë, njerëz të religjionit, politikan, etj.. Mezi pres të fillojë konferenca, sepse mendoj qe është një event i domosdoshëm që duhet të ndodhë, dhe duke e ditur se e gjithë bota e njeh këtë rajon dhe do jenë duke vëzhguar se çka po ndodhë këtu, është shume e rëndësishme që të veprojmë mençur dhe të lëvizim në kahun e duhur.
Ekstremizmi fetar është një problem që e ka prekur Kosovën së fundmi. A mendoni që Kosova ka bërë mjaftueshëm ta kontrollojë apo luftojë këtë dukuri?
Mendoj që të gjithë mund të bëjmë më shumë për të luftuar ekstremizmin fetar. Ne kemi probleme të ekstremizmit edhe në SHBA. Kemi Sinagoga Hebreje që sulmohen, kemi Kisha që sulmohen. Pra mendoj që gjithmonë ekziston mundësia që të bëjmë më shumë për ta luftuar ekstremizmin. Mendoj që e domosdoshme është që qeveria ta luftojë dhunën. Nëse dikujt i janë dhunuar të drejtat për shkak të përkatësisë fetare, atëherë qeveria duhet të jetë e qartë dhe të ndjekë penalisht individët që gabojnë dhe pastaj mund të konsiderohet që ka drejtësi. Njerëzit duhet të kenë besim në sistemin e drejtësisë, sepse është sistemi i drejtësisë ai që mbron të gjithë, si shumicën edhe pakicën. Pra mendoj që ka hapësirë për përmirësime. Jam i lumtur që e shoh progresin që ka ndodhur por mendoj që duhet më shumë punë.