Ambasadori Reka: Shqipëria fqiu më miqësor i Maqedonisë

Ambasadori Reka: Shqipëria  fqiu më miqësor i Maqedonisë

Me ambasadorin shqiptar në Shkup, Shkëlqesinë  e Tij, Fatos Reka, javën e shkuar zhvilluam një intervistë për Almakos, në të cilën biseduam për raportet shqiptaro-maqedone si dhe për rolin e rëndësishëm të partive shqiptare për të mbajtur gjallë frymën kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Megjithatë, ambasadori Reka vlerëson se partitë shqiptare nuk duhet të bien në vetëkënaqësi, por duhet të vazhdojnë të mendojnë dhe të veprojnë për përmirësimin e të drejtave dhe të mirëqenies së shqiptarëve në Maqedoni.

Reka në këtë intervistë ka hedhur poshtë pretendimet e qarqeve nacionaliste maqedone se kinse shteti shqiptar ndërhynë në punët e brendshme të Maqedonisë duke kujtuar se Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, i cili kurrë nuk ka vënë në dyshim integritetin territorial të Maqedonisë, si dhe identitetin dhe gjuhën maqedone.

“Është vështirë të gjesh një fqinj më miqësorë ndaj Maqedonisë se sa Shqipëria”, thekson ambasadori Reka.

Lidhur me bllokimin e Ligjit të gjuhëve nga presidenti Gjorge Ivanov dhe opozita maqedone, Reka shpreson se Parlmenti do të mbarojë punën në pajtim me procedurat ligjore.

“Në fund të fundit, në demokraci, fjalën e fundit e ka shumica”, nënvizon ambasadori shqiptar.

Ai ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Kosovë rreth Gjykatës speciale dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Intervistën e plotë me ambasadorin shqiptar në Maqedoni, Fatos Reka mund ta lexoni në vijim.

 ALMAKOS: Zoti ambasador, si i vlerësoni marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë?

REKA: Maqedonia dhe Shqipëria janë dy vende fqinj e miq. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që ka njohur Maqedoninë si shtet të pavarur, menjëherë pas shkëputjes së saj nga ish Jugosllavia në vitin 1993. Vazhdimisht Shqipëria është përpjekur të këtë marrëdhënie sa më të mira me Maqedoninë, në bazë të të gjitha rregullave e normave të marrëdhënieve e së drejtës ndërkombëtare, në interes të ndersjellë, mos ndërhyrje në punët e brendshme të njëri tjetrit, fuqizim të shkembimeve tregëtare dhe ekonomike, etj. Në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve tona, një rol të veçantë ka luajtur dhe luan edhe popullsia shqiptare që jeton në Maqedoni, e cila ka shërbyer si një urë lidhëse ndërmjet të dy vendeve tona. Gjatë të gjithë këtyre viteve, me dëshirën e vullnetin e mirë të të dy vendeve, me qëllim krijimin e një atmosfere sa më të besueshme për zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, artistike, etj., ndërmjet Shqiperisë dhe Maqedonisë janë nënshkruar më se 70 marrëveshje bashkepunimi të fushave të ndryshme, marrëveshje këto, të cilat kanë ndikuar në përmiresimin e frymës së bashkëpunimit dhe respektit reciprok, si dhe në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve tona.

Pavarësisht situatës së tensionuar dhe krizës politike të 2-3 viteve të fundit në Maqedoni, Shqipëria, si një vend mik e fqinj, është përpjekur të ndikojë në zgjidhjen sa më parë të kësaj krize dhe ngërçi, në mënyrë që edhe Maqedonia, ashtu si të gjitha vendet e tjera të rajonit tonë, të avancojë në rrugëtimin e saj euroatlantik, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane e anëtare e denjë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ndryshimet politike në Maqedoni, pas krizës së tejzgjatur dhe krijimi i qeverisë reformatore të drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, krijuan kushtet e një atmosfere më të hapur bashkepunimi me fqinjtë, përfshirë edhe Shqiperinë, për gjetjen e rrugëve dhe mundësive për eleminimin e çështjeve e problemeve të hapura të së kaluarës, e avncimin edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht se Shqipëria e Maqedonia nuk kanë trashëguar asnjë mosmarrëveshje, apo probleme të pazgjidhura nga e kaluara, dakordësia ndërmjet të dy qeverive për të zhvilluar një mbledhje të tyre të përbashkët, e cila u realizua me 15 dhjetor të vitit të kaluar në Pogradec, tregon më së miri se marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve tona janë shumë të mira. Po ashtu, marrëveshjet dhe protokollet e nënshkruara në këtë mbledhje të parë të të dy qeverive tona, janë një tregues sinjifikativ që tregon se të dy qeveritë janë të përkushtuara në krijimin e një fryme paqeje e sigurie në rajon, në dobi të të dy vendeve e popujve tanë e se qellimi i vetëm, është rrugëtimi euroatlantik, që sëbashku edhe me vendet e tjera të rajonit, të bëhemi pjesë e familjes evropiane.

ALMAKOS: A e kuptojnë partitë shqiptare se mision i tyre është të kontribuojnë për vendosjen e marrëdhënieve të ngushta miqësie me Shqipërinë?

REKA: Nuk ka as më të voglin dyshim se një ndikim të rëndësishëm në marrëdheniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Shqipërise dhe Maqedonisë, një rol të rëndësishëm e të dorës së parë, kanë luajtur e luajnë edhe partitë politike shqiptare në vend, qofshin ato parlamentare e pjesëmarrëse në qeverisjen e vendit, ose jo. Dhe kjo ilustrohet me shembuj të shumtë e të ndryshëm, që nga përpjekjet për mbajtjen gjallë të frymës kombëtare, zakoneve, traditave, kulturës e gjuhës, ashtu edhe nga veprimet konkrete dhe nismave për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, te gjitha këto me të vetmin qëllim, përmirësimin e mirëqenies e zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona në këtë pjesë të Evropës. Vendet e rajonit tonë, të përfshira në Procesin e Berlinit, kanë rënë dakord që përmes nismave të përbashkëta të sigurisë, konektivitetit, energjisë, tregëtisë, dixhitalizimit, etj, të përmiresojnë sa më shumë situatën e mirëqenien në vendet tona, për të qenë të denjë neser të jenë pjesë  e Evropës së Bashkuar.

ALMAKOS:  Si i komentoni akuzat e qarqeve shoviniste në Shkup se Shqipëria po ndërhynë në punët e brendshme të Maqedonisë duke u thirrur në rolin e kryeministrit Rama në pajtimin e partive shqiptare?

 

REKA: Siç e përmendëm edhe më lartë,  në një periudhë 2-3 vjeçare, Maqedonia ishte përfshirë në një krizë  të rëndë e të tejzgjatur politike, shkak i të cilave ndër të tjera, u bënë edhe publikimi i përgjimeve telefonike nga ana e opozitës së atëhershme, por edhe një varg pakënaqësishë popullore, ndikim i qeverisë në media, gjyqësor, ekonomi, etj., cka bëri që partitë politike në vend, përmes marrëveshjes së Perzhinos, të binin dakord për të zhvilluar zgjedhje të parakohëshme. Si rezultat i zgjedhjeve të dhjetorit 2016, dolën fituese, duke u bërë pjesë e Parlamentit edhe parti të tjera shqiptare, veç tradicionaleve, si Alenaca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Fitorja e këtyre partive e zgjeroi spektrin e partive shqiptare pjesë e Parlamentit, ç’ka diktonte edhe domosdoshmerinë e unifikimit të mendimeve e veprimeve të tyre për çështjen kombëtare e çështje të tjera madhore, pavaresisht progrmeve të tyre politike dhe elektorale. Kështu, me nismën e tyre ata hartuan një deklaratë të përbashkët për këtë qëllim, të cilën e konsultuan edhe me faktorë relevantë në Shqipëri, përfshirë edhe kryeministrin e vendit z. Edi Rama. Pikat e kësaj Deklarate të përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, janë as më shumë e as më pak, pikat dhe kërkesat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ndërkohë, Shqipëria e ka detyrim kushtetues, kujdesin ndaj të gjithë bashkëkombasve të saj, pavarësisht se ku ata jetojnë e punojnë. Natyrisht si në çdo vend, edhe në Republikën e Maqedonisë, ka qarqe të ndryshme nacionaliste, që për interesat e tyre imediate, a të çastit, shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të propaganduar e sajuar gjëra të paqena. Republika e Shqiperisë, në asnjë rast a rrethanë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë, përkundrazi, Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu Maqedoninë. Ne ishim një nga vendet e pakta të rajonit që nuk e vunë kurrë në dyshim integritetin territorial të Maqedonisë, ne nuk e vumë kurrë në dyshim identitetin dhe gjuhën e Maqedonisë. Një e treta e popullsisë që jeton në Maqedoni e që është shqiptare ka qënë gjithmonë pro-europiane e pro-atlantike. Ndoshta është e vështirë të gjesh një fqinj më miqësor ndaj Maqedonisë se sa Shqipëria.  Nuk ka e nuk ka pasur asnjëherë një platformë që janë të pranishme në parlamentin aktual të Maqedonisë e që ne e kemi mbështetur, sepse shohim në këtë dokument një përpjekje të qartë të Shqiptarëve, së pari për ta mbajtur Maqedoninë e bashkuar, së dyti për të kërkuar një harmoni më të plotë ndëretnike në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, së treti për të zbatuar Marrëveshjen e Përzhinos, së katërti për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së duke normalizuar marrëdhëniet me Greqinë, me Bullgarinë dhe sigurisht me Shqipërinë dhe Kosovën, si fqinjë të saj.

 

ALMAKOS: Partitë shqiptare dhe qeveria e re nuk kanë zgjidhje për kalimin në Kuvend të ligjit për gjuhët, i cili zgjeron përdorimin zyrtar të shqipes. Si e vlerësoni mosdekretimin e ligjit nga presidenti Ivanov dhe bllokimin që bën opozita nacionaliste maqedone?

REKA: Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat evropiane.

Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gurthemel për një të ardhme më të mirë e më të sigurt euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur.

Analistë, ekspertë e njohës të  Kushtetutës së Maqedonisë janë shprehur se Ligji për përdorimin e gjuhëve, nuk përmban në vetvehte në asnjë prej neneve të tij, asgjë antikushtetuese, si dhe në asnjë prej neneve të tij, nuk e cënon karakterin unitar të shtetit. Është në tagrin e kompetencën e Presidentit Ivanov, dekretimi, apo mosdekretimi i tij.

Ndërkohë, është përshtypja dhe perceptimi im, që opozita, përmes një numri të konsiderueshëm amendamentesh, që i ka bërë ligjit në fjalë, kërkon zvarritjen e miratimit të tij. Sidoqoftë Republika e Maqedonisë është një demokraci funksionale, shtet i së drejtës dhe gjithkush ka të drejtën e tij për të miratuar, ose jo një ligj. Le ta lëmë Parlamentin që të bëj punën e tij konform rregullave, rregulloreve e procedurave për këtë qellim. Në fund të fundit në demokraci, fjalën e fundit e ka shumica.

 

ALMAKOS: Shqiptarët e Maqedonisë nuk arritëm të krijojnë një klase të përgjegjshme politike e intelektuale, e cila do të garantonte respektimin e plotë të drejtave të shqiptarëve.  Si shteti shqiptar shikon paaftësisë së partive shqiptare për të bashkërenduar veprimet për çëshjte me interes vital për shqiptarët?

REKA: Republika e Maqedonisë, pavarësisht nga kriza politike e viteve të fundit,  problemet e çështjet e hapura që ka patur me disa nga fqinjet e saj, është një demokraci funksionale dhe shtet i së drejtës.

Në këtë demokraci, edhe partite politike shqiptare, kanë luajtur e luajnë padyshim rolin e tyre në mbarëvajtjen e punëve në vend, si përmes pjesëmarrjes në koalicionet qeverisëse, ashtu edhe duke dhënë kontributin e tyre në Parlament. Po të bësh nja analizë retrospektive, rezulton që klasa dhe elita politike shqiptare, ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, për arsye se një pjesë e konsiderueshme e vendimmarrjes në demokratizimin e jetës së vendit e në rrugëtimin  euroatlantik të Maqedonisë, është marrë pikërisht edhe me kontributin e klasës dhe faktorit politik shqiptar në vend. Kjo klasë politike, duke kontribuar në të përgjithshmen, ka kontribuar automatikisht edhe në respektimin e garantimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve. Ndryshimi me të kaluarën është si nata me ditën, por partitë politike dhe elitat e tyre nuk duhet të bien në vetëkënaqesi e nuk duhet të pushojnë së menduari e vepruari për përmirësimin e avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve dhe elektoratit që ata përfaqësojnë në vazhdimësi. Nga demokratizimi i jetës së vendit, nga reformat eurointegruese, nga përmirësimi i ekonomisë, nga mirëqenia në vend, pa dyshim që perfitojnë të gjithë, përfshirë edhe shqiptarët, prandaj edhe partite politike shqiptare, në qeverisje, apo në Parlament, nuk duhet të pushojnë së menduari e vepruari në këtë drejtim, duke treguar kësisoji se pa kontributin e bashkëpunimin edhe të faktorit shqiptar, arritjet në Maqedoni do të jenë të cunguara.

ALMAKOS: A mendoni se krimi i organizuar në hapësirën shqiptare dhe radikalizmi fetar janë instrumente më të fuqishme në duart e shovinistëve ballkanik për të parandaluar faktorizimin e shqiptarëve në rajon?

REKA: Duan apo nuk duan shovinistet ballkanikë, shqiptarët në rajon janë tashmë të faktorizuar. Janë dy shtete të pavarura, Shqipëria dhe Kosova, si dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët jetojnë në Maqedoni, ku janë faktor shtetformues, në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës. Shqiptarët në vetvete nuk janë radikale. Përmes ushtrimit dhe praktikimit të fesë, ata janë përpjekur që të ruajnë e forcojnë identitetin e tyre kombëtar, në kushtet kur presioni ndaj tyre, sidomos në ish Jugosllavi, kishte marrë përmasa të mëdha nën influencën e ish pushtetit. Pas shpërberjes së ish Jugosllavisë dhe krijimit të shteteve të pavarura e demokratike, me ekonomi tregu e synimin e antarësimit në strukturat euroatlantike, si dhe situatave e zhvillimeve gjeostrategjike në rajon e më gjerë, u vune re fenomene sporadike të individëve të caktuar me prirje kriminale, apo radikale. Pa dyshim që ky nuk është një fenomen shqiptar, por qeveritë e vendeve tona, përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe me asistencën edhe të faktorit ndërkombëtar dhe aleatëve tanë strategjik, SHBA e Bashkimi Evropian, janë përfshirë në një luftë të ashpër e pa kompromis ndaj këtyre fenomeneve, për të pasur një rajon të qetë, të paqëm e të begatë. Takimi i ditëve të fundit në Ohër ndërmjet Ministrave të Punëve të Brendshme të Shqiperisë e Maqedonisë, z. Fatmir Xhafaj e Oliver Spasovski, me ekipet e tyre, nënshkrimi dhe implementimi i marrëveshjeve për luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të të gjitha llojeve dhe luftës kundër radikalizmit të dhunshëm dhe ekstrem, janë një tregues i qartë i vendosmërisë së të dy qeverive tona për t’i luftuar që në embrion këto fenomene të dëmshme për shoqëritë ku jetojmë, për një siguri sa më të madhe në vendet tona e rajon, me synimin e vetëm, avancimin e vendeve tona e rajonit në Bashkimin Evropian.

ALMAKOS: Kryeministri Rama qortoi liderët kosovar lidhur me Gjykatën speciale dhe marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, të cilat mund të çojnë në konfrontimin e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë. Çfarë mund të bëjë shteti shqiptar për zgjidhjen e kësaj nyje?

REKA: Ngritja e krijimi i Gjykatës Speciale dhe Marrevëshja për kufirin me Malin e Zi, e njohur ndryshe si marrëveshja e demarkacionit, janë çështje të brendshme të Kosovës, pavarësisht se realizimi i tyre, është edhe një kërkesë e vazhdueshme e miqve tanë ndërkombetarë. Kryeministri Rama, në një intervistë të tijën në televizion, i bëri edhe një herë thirrje klasës politike në Kosovë, që t’i shohin më me kujdes dhe objektivitet këto dy çeshtje të rëndësishme për ardhmerinë euroatlantike të vetë Kosovës, ç’bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave nga i cili përfitojnë të gjithë qyetarët e Kosovës, si dhe vijimin e proceseve eurointegruese e fillimin e negociatave të stabilizim-asocimit, çka do ta përfshinte edhe më mirë e më gjerë vetë Kosovën, në rrugetimin e saj drejt Brukselit. Personalisht kam bindjen e plotë se klasa politike kosovare ka vetëdijen e saj dhe do të dijë ta zgjidh me pozitivitet këtë ngrëç të momentit dhe me veprimet e saj, do të dije tu tregojë edhe një herë mirënjohjen aleateve tanë strategjik, SHBA e Bashkimit Evropian, pa ndihmën dhe asistencën e të cilëve, nuk do të kishim këtë Kosovë të pavarur që kemi sot e që do të festojë në paqe e mirëqenie 10 vjetorin e pavarësismit të saj.

ALMAKOS: Pse Shqipëria po ngec në rrugën e integrimit evropian pas Malit të Zi dhe Serbisë? Cilat janë arsyet e kësaj ngecje?

REKA: Lëvizja demokratike në Shqiperi, në vitin 1990, e cila permbysi diktaturën komuniste, kishte si moton e saj, “…e duam Shqipërinë si gjithë Evropa…”. Të gjitha qeveritë shqiptare të pas 1991, duke ia lënë stafetën njëra tjetrës, kishin të njejtin e të vetmin objektiv, çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për të mundësuar antarësimin sa më parë të Shqiperisë në të. Sigurisht që rruga drejt Brukselit nuk është edhe aq e lehtë, pasi kërkon standartizim, përafrim të legjislacionit, shtetin ligjor, pavarësi, profesionalizëm e paanshmëri të gjyqësorit, media të pavarura, etj. Dhe ky rrugëtim i Shqipërisë drejt Evropës nuk ka qenë edhe aq i lehtë, ka patur avancime e ngadalësim, në funksion të situatave e ngjarjeve në vend, por edhe në kontekstin rajonal e gjeostrategjik. Megjithatë, pavarësisht këtyre, Shqipëria arriti t’i përmbushë standartet dhe në vitin 2009 arriti të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), organizatës politiko-ushtarake, e cila promovon vlerat demokratike dhe bashkëpunon në mbrojtjen dhe sigurinë e vendeve anëtare, si dhe parandalon konfliket.

Pasi kaloi e pëmbushi me sukses fazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Shqipëria është në pritje të një date për çeljen e negociatave të antarësimit e njëkohësisht po punon për përmbushjen e pritoriteteve të vëna nga Bashkimi Evropian për këtë qëllim. Një ndër këto prioritete është edhe reforma e sistemit gjyqësor, pra në këtë aspekt, Shqipëria nuk ka ngecur, por vijon rrugën e saj në integrimin evropian.

Serbia dhe Mali i Zi nga ana e tyre, për shkak të rrethanave favorizuese për ta, i ka filluar negociatat me BE, por siç u evidentua qartë në Strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, është në dorën e secilit vend aspirant, për të avancuar me negociatat dhe përmbushjen e detyrimeve të aderimit në Bashkimin Evropian. Çdo gjë është individuale dhe datat e vëna si objektiv për secilin vend, janë orientuese. Kjo do të thote se nëse një vend, nuk vijon me reformat e kërkuara, nuk realizon objektivat e përcaktuara e nuk manifeston seriozitetin e duhur, fare mirë mund të mbetet në vend parsa i përket avncimit dhe një vend tjetër, i cili edhe pse mund të ishte më prapa, por avancon me seriozitetin dhe përkushtimin e duhur, mund të bëhet më parë anëtar i Bashkimit Evropian.

Të martën, më 6 shkurt, Komisioni Evropian publikoi dokumentin e shumëpritur të strategjisë me titull: “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të zgjeruar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”. Dokumenti pohon se anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor është në interesat politike, të sigurisë dhe ekonomisë së Bashkimit Evropian dhe se perspektiva e besueshme e pranimit mund të jetë një forcë shtytëse për transformimin e rajonit, duke ndihmuar për të kontribuar në stabilitet, për një Evropë të bashkuar, bazuar në vlera të përbashkëta. Dokumenti strategjik flet për “Shqipërinë që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën evropiane” dhe se “Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për të hapur negociatat e anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura”. Kjo është një mundësi historike. Për më shumë se 20 vjet, liderët evropianë kanë folur për mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të inkurajuar që koha për t’i vënë këto fjalë në veprim tani ka ardhur. Le të mos ketë dyshim për angazhimin e Shqipërisë mbi këtë çështje. Ne jemi të vendosur t’a kthejmë këtë mundësi në realitet. Ne e kuptojmë se BE pret rezultate konkrete prej nesh dhe se procesi i vlerësimit të këtyre rezultateve do të jetë i vështirë, por i drejtë dhe i bazuar në meritë. Ekziston një konsensus i fortë midis shtetasve shqiptarë për t’u bashkuar me BE dhe ne kemi ndërmarrë vazhdimisht hapa pozitivë drejt harmonizimit me standardet e BE. Sondazhet tregojnë se 80 përqind e shqiptarëve e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të Evropës, me vlera të përbashkëta dhe një respekt të përbashkët për rëndësinë e sundimit të ligjit, të drejtave të qytetarëve dhe qeverisjes së mirë. Bashkëpunimi ekonomik i fuqishëm është gjithashtu jetik për strategjitë tona të punësimit; BE është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë që zë 2,82 miliardë euro të eksporteve tona. Ne gjithashtu kemi një kontribut pozitiv neto për të bërë drejt sigurisë së Evropës, zbatimit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar dhe menaxhimit të flukseve të migracionit. Politika jonë e Jashtme është në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Qeveria jonë po bën përparim të qëndrueshëm në të gjitha pesë fushat që Brukseli ka përcaktuar si parakushte përpara se të hapen bisedimet e pranimit, reforma administrative, mbrojtja e të drejtave të njeriut, beteja kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar. Ne jemi të vendosur të arrijmë dhe t’i bëjmë reformat tona të pakthyeshme. Ne marrim kurajë nga dija se reforma mund të përfshijë dhimbje në disa fusha dhe kur kjo gjë ndodh, do të thotë se kjo metodë po funksionon dhe ka një ndikim të vërtetë. Vitin e kaluar, parlamenti shqiptar miratoi ligje për reformimin e sistemit gjyqësor, i cili ndryshoi rrënjësisht Kushtetutën dhe krijoi një procedurë të re verifikimi për sistemin gjyqësor. Kjo reformë ka ndikuar gjithashtu në luftën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vërejtëm me pak krenari se modeli për të cilin ne, me këshillën dhe ndihmën e BE-së, zhvilluam dy vjet më parë, tani po propozohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, megjithëse në një formë më pak gjithëpërfshirëse. Puna që kemi arritur deri më tani na jep një platformë të fortë për punën e mëtejme që do të kryhet në kuadër të negociatave të pranimit. Në këtë drejtim, Shqipëria mund të konsiderohet si një udhëheqëse rajonale dhe ne besojmë se meritojmë njohje për meritat tona të progresit. Procesi negociues do të na japë këtë inkurajim për të vazhduar rrugën drejt integrimit dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më afër Evropës. Ne e dimë se ka ende pikëpamje skeptike rreth zgjerimit të BE-së në disa vende. Por, ne gjithashtu e dimë se nuk ka alternativë. Ka shumë për të bërë gjatë muajve të ardhshëm. Personalisht uroj që të gjithë vendet e rajonit tonë të vijojnë punë në përmbushtjen e detyrimeve për antarësim me të njëjtin rritëm, duke përmbushur njëkohësisht edhe detyrimet e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit, për të qenë sa më parë pjesë e familjes Evropiane. Ballkani i përket Evropës e nuk ka arsye përse të mbetet jashtë saj. Të gjithë vendet e rajonit janë tashmë të ndërgjegjshëm se duhet të bëjnë progres përmes bashkepunimit mes tyre, për një rajon të qetë, të sigurt, në mirëqenie e ku të sundojë ligji. Kështu të gjithë sëbashku do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian.

ALMAKOS: Çfarë ndodh në bisedimet shqiptaro-greke për kufirin në det dhe pse Greqia refuzon bisedimet për çështjen çame?

REKA: Siç dihet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ka patur çështje të së kaluarës të mbetura pezull e të pazgjidhura. Duke marrë shkas nga Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet të dy vendeve tona për përcaktimin e kufirit detar, marrëveshje e cila u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqiperisë, me vullnetin e mirë për të negociuar edhe një herë këtë marrëveshje, por edhe çështje të tjera të mbetura të pazgjidhura, Ministrat e Punelëve të Jashtme të të dy vendeve, me ekipet respektive, kanë zhvilluar dy raunde takimesh, një vitin e kaluar në Kretë dhe një janarin e këtij viti në Korçë.

Pa dashur të futem në hollësira e detaje teknike të çështjeve të diskutuara, të cilat për hir të së vërtetës nuk janë bërë ende publike, sepse mbi to ende negociohet e nuk është arritur në ndonjë përfundim konkret, mund të them se të dy palët deri tani kanë gjetur mirëkuptim në trajtimin e çështjeve, konform të drejtës ndërkombëtare, duke i dhënë fund njëherë e përgjithënjë situatave absurde të së kaluarës, me synimin e vetëm mbylljen një herë e mirë të padrejtësive të së kaluarës që kanë mbajtur pëng marrëdhniet ndërmjet të dy vendeve tona. Ajo që mund të them më bindje, është fakti se në këto dy raunde negociatash, ka mbizotëruar një frymë bashkëpunimi, mirëbesimi dhe respekti të ndërsjellë, ç’ka ka bërë që edhe çështjet e negociuara e që kërkonin zgjidhje, të jenë vënë në rrugën e mbarë.

Siç u theksua edhe në Strategjinë e re të zgjërimit të Bashkimit Evropian, se BE nuk do të marrë në konsideratë për antaresim, vendet që kanë  ende çështje të hapura e të pazgjidhura me fqinjët, Republika e Shqipërisë është e interesuar në gjetjen e rrugës së zgjidhjes së të gjitha mosmarrëveshjeve të deritanishme me Greqinë, për të bërë të mundur rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Rinegociimi i Marrëveshjes së kufirit detar, heqja e moskonsiderimi i ligjit absurd të gjendjes së luftës, lehtësirat e shumta në favor të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, ngritja e memorialeve për ushtarët e rënë greke gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin shqiptar, si dhe çështje të tjera të mbetura pezull, duke u zgjidhur përmes negociatave të të dy ministrave, nuk bëjnë gjë tjetër veçse zgjidhin njëherë e mirë çështje të tjekaluara që kanë mbajtur peng marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Greqisë, por njëkohësisht janë dobiprurëse për të dy vendet tona, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Greqinë.

ALMAKOS: Ambasador Reka, faleminderit për intervistën!

REKA: Me nder qofshi!

INTERVISTOI: Naser SELMANI