Alsat 2019-04-16T15:27:51+02:00
24 orët e fundit janë shënuar së paku 3 vjedhje, 2 prej të cilave në kryeqytet dhe një në Dibër. Pos plaçkitjes së Bankës NLB, në Shkup është plaçkitur edhe tek një furrë e bukës. Nga ana tjetër në Dibër një person i armatosur ka grabitur një kazino. Ekspertët e sigurisë thonë se varfëria e skajshme dhe dëshira për të arritur shpejt dhe lehtë tek paratë, janë indikatorët kryesorë të rritjes së numrit të vjedhjeve të mëdha. Profesori Bashkim Selmani thotë se rritja e numrit të vjedhjeve ka ndikuar në zbehjen e sigurisë së përgjithshme te qytetarët.
Faktori që e nxitë individin deri tek vjedhja është varfëria e skajshme që i detyron qytetarët të bëjnë veprime të tilla dhe thjeshtë realizatorët janë individë të cilët i realizojnë projektet ose i planifikojnë veprat penale që faktikisht është një mesazh shumë i vështirë për qytetarët për arsye se kohëve të fundit rrezikohet si prona private po ashtu edhe prona publike. Këto janë indikacione që kërcënojnë sigurinë e përgjithshme”-tha Bashkim Selmani, ekspert i sigurisë.
Qytetarët thonë se amnistia e shumë personave ka ndikuar që të rritet numri i plaçkitjeve. Sipas tyre as policia nuk është e denjë në parandalimin e vjedhjeve dhe kapjen e peronave që kryejnë vepra penale.
“Shumë herë ka pasur amnisti të ndryshme nga kryetari dhe nga gjithkush, kështu që në vazhdimësi po amnistohen njerëzit, prandaj marrin edhe kurajë në njëfarë mënyre që të bëjnë vepra të tilla”
“Policia nuk po punon siç duhet. Janë të korruptuar, kjo është e gjitha. Ja me dy fjalë u tha e gjitha. Nëse do të punonte si duhet sistemi, nuk do të ndodhte kjo. Nga njëra anë i mbyllin në burg, nga ana tjetër i lëshojnë, nuk mendoj se mbeti gjë për të shtuar”
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin të dhëna se sa raste të vjedhjeve janë paraqitur që nga fillimi i vitit 2019. Ndërkaq, Alsat mëson se mbi 50% e lëndëve në Gjykatën Penale kanë të bëjnë me vjedhje, shumica prej të cilave për vjedhje të rënda. Kohëve të fundit raportohet të jetë rritur edhe numri e xhepashëve, cak i të cilëve janë pensionistët që shfrytëzojnë transportin publik.
Besian Leka
Loading…